Lajme
Murati i jep një propozim Kurtit se si të “nxirret” nëse ia kërkojnë Asociacionin me insistim
Demokracia
23:35 | 21 Tetor 2022

Share:

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë se nëse Kosovës i kërkohet me insistim zbatimi i një modeli të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, atëherë pala kosovarë duhet të kërkojë të njëjtën edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Sipas Muratit, kryeministri Albin Kurti ka hapësirë për manovrim në këtë kohë kur zërat për një marrëveshje të shpejtë mes dy vendeve, janë gjithnjë e më të shpeshtë.

“Ka një hapësirë në të cilën kryeministri Kurti mund të manovrojë. Nëse imponohet një Asociacion, të njëjtin ta kërkojë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, pra të vendoset jo njohja në qendër të marrëveshjes, por reciprociteti. Kjo do të ishte një zgjidhje evropiane”, ka deklaruar Murati në “DPT te Fidani”.

Murati ka vlerësuar se kryeministri Kurti nuk do ta pranojë një marrëveshje me Serbinë, me Asociacionin në pako, ndërkohë që beson se do ta gëlltiste një marrëveshje pa njohje të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Me Asociacionin, Kurti do të ketë problem ta pranojë këtë marrëveshje. Ai gjithë kundërshtimin si opozitar e ka bërë kundër Asociacionit. Unë mendoj që pa Asociacionin, Kurti e pranon marrëveshjen. Me Asociacion, nuk e pranon”, ka deklaruar ai.

Sipas Muratit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë një marrëveshje që sjell stabilitet rajon, që Serbinë e tërheq nga orbita e ndikimit rus dhe e afrojë nga Perëndimi.

Të ngjashme