Lajme
Mungon njëri nga dy të akuzuarit, shtyhet gjykimi për shitje të armës e vepra tjera penale
Demokracia
14:51 | 08 Qershor 2022

Share:

Për shkak të mungesës së të akuzuarit për shitje të armës, armëmbajtje pa leje e pranim të sendit të vjedhur, F.C, ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj tij dhe të akuzuarit tjetër për shitje të armës dhe armëmbajtje pa leje, H.F, i cili ishte prezent në seancë.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika, tha se është njoftuar nga babai i të akuzuarit C, se i njëjti është dërguar dje në ndalim policor në Prishtinë.

Në këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore kjo seancë është shtyrë për 1 korrik 2022.

Gjykatësi Zika, tha se në ndërkohë për të akuzuarin që mungoi në seancë do të kontaktohet Prokuroria Themelore në Prishtinë apo Stacioni Policor, dhe për të akuzuarin do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se më 7 qershor 2021, i akuzuari F.C, pranon, siguron dhe fsheh sendin për të cilin ka ditur se është përfituar me kryerjen e veprës penale, në atë mënyrë që pasi më parë kishte kontaktuar të miturën E.M, dhe se në bisedë e sipër me të, e njëjta ia tregon një foto të armës përmes telefonit mobil, për të cilën i akuzuari e pyet se e kujt është arma, ku e njëjta përgjigjet se është e djalit të axhës së saj.

Tutje sipas aktakuzës, më pas ditën kritike i akuzuari nga Prishtina ka shkuar në fshatin Radostë të Rahovecit dhe nga e mitura e merr në shenjë dhurate për ditëlindjen e tij armën e tipit “Bereta Italiane”, me dy karikator dhe 34 fishekë, me çka në këtë mënyrë ka pranuar armën edhe pse ka qenë në dijeni se e njëjta është e vjedhur.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprën penale” nga neni 333 paragrafi 1 i Kodit Penal.

Tutje, sipas aktakuzës, ai po ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit Penal, përkatësisht për mbajtjen pa leje të armës së lartcekur.

Sipas aktakuzës, i akuzuari C, ngarkohet edhe se me datë të pacaktuar të muajit qershor të vitit 2021, në kundërshtim me ligjin për armët, në lidhje me armët dhe materiet plasëse, e shet armën e lartcekur në lokal të akuzuarit H.F, në Prishtinë, në shumën prej 700 euro, të cilën shumë e merr në dy pjesë për dy ditë me radhë.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364 paragrafi 1 i Kodit Penal.

Tutje sipas aktakuzës, i akuzuari tjetër H.F. po akuzohet se nga data e pacaktuar e muajit qershor 2021, ka mbajtur armë pa leje në kundërshtim me ligjin të cilën paraprakisht e kishte blerë nga i akuzuari C.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit Penal.

I akuzuari H.F po ngarkohet edhe se me datë të pacaktuar të muajit tetor 2021, në kundërshtim me Ligjin për armët, armën të cilën e kishte blerë nga i akuzuari C, në tregun e veturave në Prishtinë ia shet një personi në shumën prej 500 euro, prej tyre 400 euro pagesë dhe 100 euro për borxhe.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364 paragrafi 1 i Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Të ngjashme