Lajme
“Mungesë komunikimi”, “joseriozitet”: Çka tregon përplasja e Presidencës dhe Qeverisë në rrjete sociale për taksen ndaj ShBA-së?
Demokracia
15:19 | 04 Prill 2025

Share:

Përplasja e Presidencës dhe Qeverisë në rrjete sociale për çështjen e tarifës doganore ndaj produkteve amerikane, ka nxitur reagime të shumta në vend. Reblikat që dje janë zhvilluar në mes të zyrtarëve të presidencës dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, flasin për një moskoordinim të madh në mes të dy institucioneve.

Njohësit e rrethanave politike kanë bërë me dije se Presidenca dhe Qeveria kanë mundur të trajtojnë më seriozisht këtë çështje.

Albert Krasniqi nga ‘Demokraci +’ ka vlerësuar se komunikimi tregon se zyrtarët e shtetit shqetësimin kryesor e kanë ruajtjen e rehatisë pas orarit të punës.

Tarifat e SHBA-së kanë shkaktuar tensione dhe luftë tregtare në mbarë botën, duke shqetësuar liderët e vendeve të prekura, të cilët përballen me pasojat ekonomike dhe diplomatike. Ndërsa shumë qeveri po kërkojnë zgjidhje dhe strategji për t’u përshtatur me këto masa, tek ne duket se shqetësimi kryesor është ruajtja e rehatisë pas orarit të punës”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka bërë me dije se ky komunikim në mes të Presidencës dhe Qeverisë tregon pse shteti i Kosovës nuk merret seriozisht.

Debati mes Presidentes dhe Ministrit të Financave, i karakterizuar nga mungesa e koordinimit dhe komunikimit institucional, tregon qartë pse shteti ynë nuk merret më seriozisht në arenën ndërkombëtare. Në vend të një politike të jashtme të qartë dhe të konsoliduar, shohim një qasje të çakorduar, të diktuar nga protagonizmi dhe nevoja për vëmendje”, ka vlerësuar ai.

I shqetësuar me komunikimin në mes të dy institucioneve kryesore është shprehur edhe avokati Arianit Koci.

Ai i ka reaguar ministrit në detyrë të Ekonomisë, Hekuran Murati, i cili dje i është përgjigjur në rrjete sociale presidentes Vjosa Osmani në lidhje me çështjen e taksës ndaj produkteve amerikane.

Ai ka fajësuar Presidencën dhe Qeverinë për komunikimet në rrjetet sociale.

Duke komentuar në statusin e Muratit, avokati Koci ka vlerësuar se kjo mënyrë e komunikimit është shqetësuese.

Sipas tij, Presidenca dhe Qeveria duhet të bëhen serioze.

Për ne, qytetarët e zakonshëm, kjo mënyrë komunikimi është shqetësuese – kushdo qoftë që ka faj. Nuk mund të pranohet që komunikimi mes Presidentes dhe ministrit më të rëndësishëm në Qeveri të ndodhë publikisht, në kohë reale, përmes rrjeteve sociale. Nuk ka hijeshi. Nuk ka peshë. Nuk ka ndjenjë shteti. Ju lutem, komunikoni përmes kanaleve zyrtare, apo takohuni.”, ka komentuar Koci.

Përplasja e Presidencës dhe Qeverisë

Tre minuta pas presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar zyrtarisht Qeverisë Kurti heqjen e taksës prej 10% për mallrat amerikane, shefja e shtetit kërkesën e saj e ka publikuar në llogarinë e saj në “X”.

Sot, zyrtarisht i kërkova Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet amerikane – një hap i rëndësishëm për të thelluar lidhjet ekonomike me aleatin tonë më të ngushtë dhe për të dërguar një mesazh të qartë: Kosova është e gatshme për një marrëdhënie më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara, me një vizion të qartë që do t’i bënte të dyja vendet tona më të forta, më të sigurta dhe më të begata.”, ka shkruar Osmani, duke treguar efektet e këtij vendimi.

Jam i bindur se kjo lëvizje do të hapë mundësi të reja për krijimin e vendeve të punës, shkëmbimin e teknologjisë dhe rritjen ekonomike afatgjatë. Më shumë se një lëvizje ekonomike, ky është një objektiv i politikës së jashtme, duke riafirmuar përkushtimin tonë të qëndrueshëm ndaj Kosovës-SHBA. aleancë, e ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë dhe dekada të mbështetjes së palëkundur”, ka shkruar ai.

Publikimi i kësaj kërkese është bërë sebep për një përplasje të re në mes të këtyre dy institucioneve.

Ndaj kërkesës së shefes së shtetit i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Ky i fundit e ka kritikuar presidenten Osmani për bërjen publike të kërkesës së saj.

Sipas tij, kjo çështje është dashur të diskutohej larg mediave.

Sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga ShBA-të. Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë. Secili shtet serioz, këto çështje i trajton larg mediave, dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi. Për më tepër, politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit, konkretisht ministrisë përgjegjëse për financa”, ka shkruar Murati në profilin e tij në “Facebook”.

Replika nga presidenca për Muratin ka qenë e shpejt dhe e ashpër.

Këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, ka vlerësuar se ministri Murati është njeriu i fundit që mund të flas për seriozitet.

Një njeri që ende nuk e ka kuptuar që udhëheqja e shtetit është punë 24/7, e jo që përfundon në orën 16:00, një njeri që ende nuk e kupton që sipas Kushtetutës dhe komentarit të Kushtetutës, objektivat e politikës së jashtme i përcakton institucioni i Presidencës, që nuk e kupton që këto gjëra nuk janë thjesht veprime ekonomike, por veprime strategjik”, ka reaguar ai.

Këto polemika reflektojnë ftohjen e raporteve në mes të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti. këta të fundit, dikur aleat, në dy vitet e fundit jo rrallë kanë replikuar në distancë për çështje të caktuara.

Të ngjashme