Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bënë të qartë se nuk po arrin të përmbushë mandatin ligjor për kontrollin e produkteve ushqimore, për shkak të mungesës së theksuar të inspektorëve.
Zëdhënësi i agjencisë, Lamir Thaçi, në një intervistë për EO thotë se situata është emergjente dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet për miratimin e pozitave të reja, përndryshe rrezikohet seriozisht siguria ushqimore dhe shëndeti i qytetarëve.
Sipas tij, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të drejtuara institucioneve shtetërore për miratim të pozitave të reja, nuk është marrë ende asnjë aprovim zyrtar.
“Aktualisht jemi në një situatë urgjente për të shtuar numrin e inspektorëve sepse ka regjione që mbulohen vetëm me nga një-dy inspektorë dhe kjo është tepër e pamjaftueshme për shkak të kompleksitetit që ka dhe mandatit, dhe agjencia që lidhet direkt me jetën dhe shëndetin e qytetarëve, shëndetin e bimëve dhe shëndetin e kafshëve. Është urgjente që ne të rekrutojmë staf të ri. Kemi paraqitur kërkesa në vazhdimësi pranë institucioneve dhe mekanizmave të tjerë shtetërorë të cilët duhet të bëjnë lejimin dhe aprovimin e këtyre pozitave dhe deri më tani nuk kemi marrë. Ne shpresojmë që sa më shpejt të punësohen inspektorët që ne të arrijmë të përmbushim mandatin tonë ligjor që kemi. Imagjinoni – ne duhet të kontrollojmë të gjitha thertoret gjatë gjithë kohës sa ato ushtrojnë therje e po ashtu të njëjtit inspektorë duhet të kontrollojnë të gjitha fabrikat e përpunimit dhe paketimin e të gjitha produkteve me origjinë shtazore. E në të njëjtën kohë edhe pikat shitëse apo marketet për të gjitha këto produkte”, tha ai.
Ai shtoi se, ndonëse me ligj është paraparë krijimi i trupës së re të inspektorëve të sigurisë ushqimore, deri tani nuk është rekrutuar as edhe një inspektor në këtë profil.
Në mungesë të kuadrit të mjaftueshëm, AUV po mbështetet me inspektorë nga sektorë të tjerë – një praktikë që Thaçi e konsideron si të pamjaftueshme.
“Në anën tjetër është me ligj e përcaktuar që të krijohet një trupë e re që inspektorët do të quhen inspektorë të sigurisë ushqimore e të cilët deri më tani nuk është rekrutuar apo nuk është punësuar asnjë inspektor në këtë fushë. Ne po mbështetemi nga inspektoratet tjera siç është inspektorati sanitar në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. Por kjo është e pamjaftueshme që ne të arrijmë që të përmbushim mandatin tonë ligjor që kemi, që në çdo kohë produktet të cilat dalin në treg duhet të jenë të kontrolluara dhe t’i përmbushin të gjitha kriteret ligjore të sigurisë. Andaj ne kërkojmë që sa më shpejt të ofrohet mundësi që ne të rekrutojmë staf të ri i cili do të jetë në shërbim të konsumatorëve tanë”, tha ai.
Sipas Thaçit, rreth 70 inspektorë janë në detyrë, por një pjesë e konsiderueshme e tyre angazhohen në pikat kufitare dhe doganore, ku situata po mbahet nën kontroll. Problemet më të mëdha sipas tij, janë në kontrollin e brendshëm, ku po mungojnë resurset për inspektimin e produkteve, siç kërkohet me ligj.
Ai vlerësoi se është urgjente të shtohet numri i inspektorëve në sektorin fitosanitar, atë veterinar, si dhe të rekrutohen 20 deri në 30 inspektorë të specializuar vetëm për sigurinë ushqimore dhe kontrollin e produkteve të gatshme në treg.