Lajme
“Mund të ketë arrestime nga Specialja edhe ditëve në vijim”
Demokracia
19:45 | 16 Mars 2021

Share:

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, gjatë së martës është arrestuar në Belgjikë në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Hulumtuesi në Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Gëzim Shala, ka thënë se do të ketë edhe arrestime të tjera nga Gjykata Speciale, transmeton Demokracia.com.

Shala tha se nuk e dinë ende se sa persona janë duke u dyshuar dhe sa raste janë në procedurë e sipër për konfirmim të aktakuzës.

“Nëse shohim statistikisht numrat e të arrestuarve nuk është befasi që të ndodhë ky arrestim, por që të ketë edhe arrestime të tjera. Bazuar në punën që e ka bërë deri më tani Gjykata Speciale ne ende nuk e dimë se sa persona janë duke u dyshuar dhe sa raste janë në procedurë e sipër për konfirmim të aktakuzës. Për këtë arsye shfaqja e personave të rinj të cilët arrestohen pranë kësaj gjykate mund të ndodhë edhe ditëve në vijim. Nëse i referohemi numrit të të arrestuarve ky është personi i gjashtë që është arrestuar për çështje që lidhen me Gjykatën Speciale, sepse dy të tjerë kanë qenë për vepra penale të administrimit të drejtësisë me punën e Speciales. Edhe në të ardhmen mund të ketë arrestime për vepra penale që janë në kuadër të juridiksionit të kësaj gjykate”, tha Shala në KlanKosova.

Shala, më tej ka thënë se secili rast i ka specifikat e veta dhe nuk dihet kohëzgjatja e gjykimit të këtyre të pandehurve nga Gjykata Speciale.

“E drejta e të pandehurit flet përfundimin e gjykimit brenda një periudhe të arsyeshme. Nuk e përcakton saktë se sa ditë, muaj apo vite. Por bëhet fjalë që secili rast t’i ketë specifikat e veta dhe në bazë të tyre të bëhet procesi”, tha Shala.

Të ngjashme