Lajme
Mujanoviç: Vuçiç po planifikon të nxis dhunë në Kosovë dhe BeH
Demokracia
22:48 | 20 Nëntor 2023

Share:

Politologu nga Bosnja dhe Hercegovina, Jasmin Mujanoviç, ka reaguar pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka vlerësuar se viti i ardhshëm do të jetë “viti më i vështirë” në historinë moderne të Serbisë, derisa ka shtuar se viti 2024, përveç tensioneve në pjesë të ndryshme të botës, do të sjellë “shumë më tepër” konflikte dhe trazira në Ballkanin Perëndimor.

“Kuptimi i fjalës së një autokrati: Vuçiç planifikon të nxis më shumë dhunë dhe kaos në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë në vitin 2024”, ka shkruar Mujanoviç në platformën X.

Ndryshe, Vuçiç në një fjalim për nder të 182 vjetorit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve (SANU), theksoi se “kam frikë se viti 2024 do të sjellë shumë më tepër konflikte dhe trazira se viti 2022 dhe viti 2023”.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që çdo ditë, duke dëgjuar pikëpamje dhe mendime të ndryshme, të arrijmë në një emërues të përbashkët se si ta ruajmë lirinë”, ka thënë ai.

Duke iu referuar procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ai ka folur edhe për rëndësinë kompromisit, derisa ka siguruar se “nuk do të heqë dorë nga territori dhe populli serb”, derisa ka theksuar se duhet pritur gjithmonë “një rast të favorshëm që e vërteta të dalë në dritë”, megjithëse “do të përpiqet të ruajë paqen” në Ballkanin Perëndimor.

Në kohën kur përpjekjet e diplomatëve perëndimorë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë intensifikuar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka bërë thirrje botës perëndimore për përshpejtimin e zgjidhjes së konflikteve në Ballkanin Perëndimor, përpara se Rusia të rindezë një zjarr të madh. Dhe, synimet e Rusisë janë konfirmuar edhe nga BE-ja.

Të ngjashme