Lajme
Muja “harron” dhunën e VV-së në Kuvend, thotë se sulmet janë sport i opozitës
Demokracia
14:59 | 19 Korrik 2023

Share:

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka pretenduar se Partia Demokratike e Kosovës e ka pasur skenar përleshjen në Kuvendin e Kosovës.

Muja për “Ekonomia Online” konsideron se një gjë e tillë mund t’i sjellë dëme vendit, që “Kosova mos të quhet më fanar i demokracisë”.

Sipas tij, sulme të tilla janë “sport i opozitës” duke thënë se kanë një “targetlistë”, megjithëse, nuk e ka përmendur edhe dhunën e gazin lotësjellës të hedhur nga VV-ja gjatë kohës sa kjo parti ishte në opozitë.

“Atë ditë e kam menduar sepse ashtu ka ndodhur edhe vitin e kaluar, është si sport i opozitës kjo. Siç ekziston një targetliste e tyre, edhe vitin e kaluar ishte njëjtë një përpjekje e ngjashme, mirëpo u kemi shmang asaj, edhe ditë më herët ishte. Siç e kanë sport, nuk e di tek baza e tyre, dikujt i duket interesant që të goditet me shuplakë Besniki, Armend…, nuk e di pse, mbase tek këto shtresat primitive politike ka edhe rëndësi kjo punë por nuk e kuptoj. Se një vend kur nuk ka dhunë është Kuvendi i Kosovës.” – tha ai.

Tutje, ai ka pretenduar se një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të “mungesës së fuqisë intelektuale dhe mungesës së kulturës së punës” në partitë opozitare si PDK e AAK.

“Unë besoj se PDK-ja kishte një qëllim atë ditë që Kosova ta ketë një njollë që mos ta quajmë vetën si fanari i demokracisë, vërtetë e kanë planifikuar bashkë me azilantë nga Kosova në Shqipëri dhe besoj se kjo ka qenë përpjekje që Kosova të mos vetëquhet më si fanar i demokracisë. Ajo ishte përpjekja dhe qëllimi ishte të degradohet kryenegociatori i Kosovës ndërkohë ai është në ballafaqim me Serbinë. Unë besoj se këto ishin dy motivet.” – ka thënë ai.

Ai ka insistuar se ajo që ndodhi të enjten e kaluar, pati një skenar.

“Jo, sepse kanë ardhë për atë punë, kështu ka qenë edhe vitin e kaluar, ku ka qenë një seancë e ngjashme kur këta e kanë pasur një skenar dhune brenda Kuvendit. Po të mos ishte ajo shishe, do të ishte diçka tjetër. Po e vërteta është që atë ditë do të kishte dhunë sepse ishte skenar, ishte skenar. Kësaj here nga PDK-ja me mbështetje anësore nga AAK-ja. Vitin e kaluar ishte e kundërta, ishte AAK-ja lider dhe me mbështetje nga PDK-ja”, tha ai.

Të ngjashme