Njohësi i politikave ekonomike, Shenoll Muharremi, ka thënë se është sulm brutal ndaj bizneseve vendore dhe ekonomisë së vendit, linçimi që sipas tij, po i bëhet sipërmarrësit të njohur, Shkëlqim Devollit, nga ish-kryeministri Albin Kurti, dhe ish-ministrat e ekzkeutivit dhe deputetët e Vetëvendosjes.
Në një postim në Facebook, Shenolli ka pohuar se kjo çfarë është duke ndodhur është politikë e ulët, duke pohuar se pjesëtarët e VV-së që ishin në Qeveri u paguan nga taksapaguesit e Kosovës.
Ai shtoi se tatimet paguhen edhe nga mijëra punëtorë që punojnë në bizneset e Shkëlqim Devollit.
“Linçimi që po i bëhet njonit prej vllaznive Devolli prej kryeministrit në detyrë, ministrave e deputetëve t’VV-së, është sulm brutal ndaj bizneseve vendore dhe ekonomisë së vendit. Krejt çka po ndodh është politikë e ulët. Jo drejtësi, jo ekonomi. Këta njerëz që sot po e linçojnë dikë publikisht, paguhen pikërisht me tatimet që i paguan ai dhe mijëra punëtorë që punojnë në këto biznese”.
“Nëse kanë fakte, le të shkojnë në prokurori. Jo me shantazhe e deklarata nëpër media sociale. Të gjithë bizneset duhet të respektojnë ligjet dhe rregullat e republikës, nëse kjo kompani ka bërë diçka të keqe, drejtësia duhet të adresoj problemin”, ka thënë Shenolli.
Shenolli shtoi se nuk mund të qëndrojë pa reaguar derisa Qeveria po i sulmon bizneset, e i trajton si armik, duke pasë fjalën për reagimet që po merr Devolli.
“As nuk i njoh Devollët, as nuk kam pi kafe me ta, e kurrë nuk e kam ndru një fjalë as bisedë. Nuk kam përfitu najherë. Por nuk mundemi me nejt heshtur kur shohim që qeveria e vendit po i trajton bizneset tona si armik”.
“Sidomos kur kjo po bëhet saktësisht sot për ndoshta me mbulu faktin që VV nuk i ka numrat me i formu institucionet. Bizneset tona nuk janë tabela qitjesh. Kjo sjellje duhet me u ndalu. Sot janë ata, nesër mund të jetë kushdo që nuk ju pëlqen”.
“Ky është sulm ndaj punës, tatimeve, mirëqenies e perspektivës së Kosovës. Mjaft më me popullizëm të rrezikshëm”, deklaroi Shenolli.