Lajme
Muhamed Zekiri dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Demokracia
14:12 | 08 Prill 2022

Share:

Të premten Prokuroria Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka bërë të ditur se nga gjykata ka kërkuar t’i shqiptohet masë arresti një zyrtari të lartë të shtetit, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ai dyshohet se gjatë periudhës, prill 2021 – janar 2022, duke e shfrytëzuar pozitën zyrtare pa zbatuar procedurë përkatëse për furnizim publik, ka nënshkruar marrëveshje për shërbime konsulence me person juridik, për të cilën vepër me paramendim është ndihmuar nga dy shtetas kroatë.

Hetimi, të cilin e ka filluar Prokuroria Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër një funksionari të lartë, mësohet se ka të bëjë me sekretarin e Përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri.

“Me veprimet e ndërmarra, të dyshuarit, për kompaninë kanë siguruar pasuri pronësore të kundërligjshme në vlerë prej 57.932.100,00 denarësh, në dëm të buxhetit të RMV-së. Kjo vlerë që ishte më e madhe se 795.000 euro nga vlera e dakorduar për kryerjen e shërbimeve konsulente”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike Themelore për ndjekje të krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Ndryshe, vendimi për shërbimet konsulente është marrë më herët në një seancë të Qeverisë, por jo në shumën që e ka nënshkruar Zekiri.

Pas kësaj, Muhamed Zekiri nëpërmjet një statusi në rrjetin social në Facebook ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje nga posti i sekretarit të Përgjithshëm në Qeverinë maqedonase.

“Besoj në institucionet e sistemit, besoj në drejtësi dhe besoj se e vërteta do të dalë në shesh. Të gjitha institucioneve ju qëndroj në dispozicion në çdo kohë për të dëshmuar pafajësinë time”, ka shkruar ndër tjerash Zekiri.

Prokurorja për krim të organizuar, Vilma Ruskovska, për mediat në Maqedoninë e Veriut ka thënë se është në dijeni se ku kanë përfunduar mjetet e fituara në mënyrë të paligjshme, ndërsa ka shtuar se dy shtetasit kroat tashmë nuk gjenden në Maqedoninë e Veriut.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i opozitës maqedonase, VMRO-DPMNE. Kryetari i kësaj partie, Hristian Mickoski, ka thënë se ndihet i indinjuar se si pasojë e veprimeve të këtilla, zvogëlohet numri i popullsisë, përkatësisht të rinjtë e braktisin vendin.

“Një Rashkovski zëvendësohet me një Rashkovski tjetër”, ka thënë Mickoski.

Nga partia maqedonase në pushtet, Lidhja Social Demokrate, kanë theksuar se para drejtësisë të gjithë janë të barabartë, pavarësisht pozitës dhe funksionit.

“Për rastet e këtilla, të cilat i udhëheqin institucionet e pavarura siç është Prokuroria, duhet të prononcohen organet gjyqësore. Ato kanë obligim të veprojnë në bazë të ligjit dhe gjatë një procedure transparente të dëshmohet nëse ka pasur keqpërdorim dhe nëse duhet dhe kush duhet të bartë përgjegjësi”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Ndryshe, Muhamed Zekiri ishte zgjedhur sekretar i përgjithshëm në nëntor të vitit 2020, pas shkarkimit të Dragi Rashkovskit nga ky post, pas aferës për shpërdorim të pozitës zyrtare në prokurimin publik lidhur me një tender në vlerë prej një milion eurosh.

Muhamed Zekiri ka punuar si gazetar para se të zgjidhej deputet në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2016 në listën e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, që në atë kohë drejtohej nga Zoran Zaevi, i cili i bëri publike bisedat e përgjuara ku ishin të përfshirë në afera korruptive zyrtarë të lartë të shtetit gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Të ngjashme