Janë shpërndarë automjetet e ndihmës së shpejt për Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Gjakovë, Mitrovicë dhe Gjilan.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se këto automjete janë blerë nga huamarrja e Bankës Botërore dhe të prokuruara nga UNOPS, përcjell Demokracia.com
Vlera e këtij investimi kap shumën e 347 mijë e 490 euro, automjete të cilat do të lehtësojnë transportin e pacientëve nga niveli parësor te nivelet e tjera më të avancuara.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Shëndetësisë, ka filluar sot shpërndarjen e automjeteve të ndihmës së shpejtë për Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare të komunave përfituese: Prishtinë, Gjakovë, Mitrovicë dhe Gjilan, të blera nga huamarrja e Bankës Botërore dhe të prokuruara nga UNOPS (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekte).
Vlera financiare e këtyre autoambulancave të tipit: Advanced Life Support, arrijnë shumën prej 347.490 Euro dhe ato do të ndihmojnë në avancimin e shërbimeve emergjente shëndetësore dhe do të lehtësojnë transportin e pacientëve nga niveli parësor i kujdesit shëndetësor në nivelet e tjera, në kushte më të avancuara dhe më të sigurta.
Ministria e Shëndetësisë do të mbështes në vazhdimësi fuqizimin e ofrimit të shërbimeve emergjente në qendrat shëndetësore të vendit.