Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, i ka futur hundët edhe në çështjet më minore të ambasadave.
Ambasadave të Kosovës për pritjet zyrtare të 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë u është imponuar një listë e artistëve, që do të mund të ftoheshin për të kënduar dhe interpretuar.
Demokracia.com ka siguruar një raport të ambasadorit të Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, ku ai raporton për organizimin e pritjes së pavarësisë.
“Me kalimin e kohës dhe me të hyrë në vitin 2023, Ambasadori i ngarkoi tre diplomatët (Sekretarin e tretë, Atasheun e mbrojtjes dhe Përfaqësuesin e Frankofonisë), që të merreshin më për së afërmi me parapërgatitjet e shënimit të 15-vjetorit të Pavarësisë. Kjo përgatitje kishte dy drejtime, njëri për shënimin e festës me të ftuarit e shumtë dhe tjetra me një ceremoni shtetërore që njihet si ravivage de ka Flamme (Ringjallje e flakës) tek varri i ushtarit të panjohur. Që në fillim pati pajtim që zonja Rona Nishliu dhe zotëri Ramë Lahaj të kontaktoheshin me këtë rast. Që të dy artistët si më sipër e pranuan në princip ardhjen e tyre në Paris në Festën e Pavarësisë. Megjithatë, z. Lahaj, shkaku i një obligimi të ngjashëm, por diku tjetër, nuk mundi të konfirmonte ardhjen në Paris. Mbeti kështu zonja Nishliu, me të cilën arritëm të merremi vesh për praninë e saj. Fakti që e kishim kontaktuar artisten Nishliu që herët, na ndihmoi në momentin kur MPJD na e dërgoi listën e artistëve që mund të kontaktonim, ku ishte kuptohet edhe znj. Nishliu. Ne e konfirmuam tek MPJD se ne donim të vazhdonim me znj. Nishliu gjë që u aprovua”, shkruan Halimi në raportin e siguruar nga Demokracia.com.
Në dokument zyrtar, Halimi si gjithnjë ka folur me admirim për veten. Në një fjali ai thotë se të ftuarve u ishte mundësuar që të bashkëbisedojnë me të.
“Nën tingujt e mrekullueshëm të muzikës dhe zërit të artistes Nishliu, festa vazhdoi për gati 3 orë. Të pranishmit kishin mundësinë të bisedonim me Ambasadorin dhe stafin e Ambasadës, sikurse dhe me autoritete dhe qytetarë të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria”, ka shkruar ai.
Demokracia.com ka pyetur edhe në MPJD se kush e ka caktuar listën e artistëve.
Sipas tyre, lista e artistëve është caktuar nga Këshilli Organizativ.
“Ju njoftojmë se Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur me 13 dhjetor 2022 ka marrë vendim për themelimin e Këshillit Shtetëror Organizativ për shënimin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës detyra e të cilit, ndër të tjera ka qenë hartimi i programit shtetëror për shënimin e kësaj date të rëndësishme për Kosovën, derisa ka ngritur dhe grupe të tjera punuese të cilat janë marrë me realizimin e aktiviteteve përkatëse. Sa i përket listës së artistëve pjesëmarrës në pritjen festive, e njëjta është përgatitur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me kërkesë të Këshillit Organizativ. Si MPJD ashtu edhe ministritë tjera, janë angazhuar në realizimin e aktiviteteve siç është paraparë në programin shtetëror të publikuar.”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
Ky është raporti i plotë i Halimit i siguruar nga Demokracia.com:
Që nga pjesa e dytë e muajit dhjetor 2022, ARKS në Paris kishte filluar me një seriozitet të shtuar përgatitjet e shënimit të 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së RKS-së.
Pas disa mbledhjeve të mbajtura për këtë temë, mes Ambasadorit dhe stafit të Ambasadës, qenë përcaktuar detyrat e secilit prej zyrtarëve diplomatik dhe vendor. U kërkuar që të punohet në identifikimin e vendit se ku do ta mbanim festën, me një numër të të ftuarve afërsisht prej 200-300 persona.
Njohësish patëm kërkuar që të punohet për përditësimin e listave të personave që do të ftoheshin, por edhe përditësimin e përgjithshëm të listave për nevoja të RKS-së në Paris. U pajtua, gjithashtu që të mendohet edhe në artistin që do të performonte gjatë festës, duke punuar edhe në identifikimin e ndonjë piktori që do të propozonte ndonjë ekspozitë pikturash.
Me kalimin e kohës dhe me të hyrë në vitin 2023, Ambasadori i ngarkoi tre diplomatët (Sekretarin e tretë, Atasheun e mbrojtjes dhe Përfaqësuesin e Frankofonisë), që të merreshin më për së afërmi me parapërgatitjet e shënimit të 15-vjetorit të Pavarësisë.
Kjo përgatitje kishte dy drejtime, njëri për shënimin e Festës me të të ftuarit e shumë dhe tjetra me një ceremoni shtetërore që njihet si ravivage de ka Flamme (Ringjallje e flakës) rek varri i ushtarit të panjohur.
Që në fillim pati pajtim që zonja Rona Nishliu dhe zotëri Ramë Lahaj të kontaktoheshin me këtë rast. Që të dy artistët si më sipër e pranuan në princip ardhjen e tyre në Parisë në Festën e Pavarësisë.
Megjithatë, z.Lahaj, shkaku i një obligimi të ngjashëm, por diku tjetër, nuk mundi të konfirmonte ardhjen në Paris. Mbeti kështu zonja Nishliu, me të cilën arritëm të merremi vesh për praninë e saj.
Fakti që e kishim kontaktuar artisten Nishliu që herët, na ndihmoi në momentin kur MPJD na e dërgoi listën e artistëve që mund të kontaktonim, ku ishte kuptohet edhe znj. Nishliu. Ne e konfirmuam tek MPJD se ne donim të vazhdonim me znj. Nishliu gjë që u aprovua.
Në ndërkohë i identifikuam tri lokacione për mbajtjen e festës, prej të cilëve aprovimi u gjet për Pavillon Dauphine, në Paris. Njëkohësisht kishim pranuar edhe konfirmimin për ceremoninë e ringjallen e flakës në Portën Triumfale.
Ishte bërë në ndërkohë edhe në përditësimin e listave dhe numri i të ftuarve kishte mbërritur në mbi 300 (treqind). Një pjesë e madhe e të ftuarve (mbi 100) vinte nga përfaqësitë e shumta diplomatike në Paris, qofshin ato Ambasada, Konsullata, autoritet ushtarake, UNESCO, OCDE, Frankofoni dhe të tjera. Pjesa tjetër e të ftuarve ishte nga Elysee, Senati, Asambleja Kombëtare, Ministritë, por edhe nga jeta politike, kulturore dhe ekonomike franceze. Lista u kompletua me bashkëkombasit nga Kosova dhe Shqipëria që jetonin dhe punonin në Francë. Në këta të fundit kishte shumë ligjërues, student, ndërmarrës, artisë dhe të tjerë.
Duhet përmendur me këtë rast, se në kuadër të shënimit të 15 vjetorit të Pavarësisë së RKS-së Ambasadori dhe stafi I Ambasadës morën pjesë në dy aktivitete tjera që I paraprinë Festës kryesore. Me datë 10 shkurt, në Lille, ARKS Paris, së bashku me Qendrën Kulturore të Kosovës në Paris si dhe me shoqata të ndryshme të studentëve shqiptarë në Francë dhe Belgjikë, e hapi javën “Kosova në Qendër të Vëmendjes”, ku Ambasadori mbajti edhe një fjalë rasti. Të pranishëm ishin edhe nënkryetari i Lille, Presidentja e Universitetit të Lille, një Senatore nga Lille dhe autoritetet tjera nga politika dhe kultura franceze e këtij qyteti.
Pastaj më 13 shkurt 2013, Ambasadori mbajti një ligjëratë me studentët e Universitetit të Lille, nga fakulteti i shkencave politike dhe juridike, me temën Kosova, 15 vjet Pavarësi.
Për t’u kthyer tek shënimi i Festës, saktësojmë se nga mbi 300 ftesa ( listë e ndarë paraprakisht edhe me MPJD-në), sipas llogarive tona, të pranishëm ishim mes 180-200 persona. Vlen të përmendet prania e Senatorëve, deputetëve, Drejtorëve të MPJ dhe MPB franceze. Një fakt me rëndësi është prania e Ambasadës së TOGO-së në Festën e Pavarësisë së Kosovës.
Të pranishmit, pas himneve, franceze dhe të RKS-së, i përshëndeti Ambasadori me një fjalë rasti.
Përfituam nga rasti që të flisnim për përparimin e madh që kishte bërë vendi ynë në 15 vite Pavarësi, Njëkohësisht falënderuam të pranishmit dhe të gjitha shtetet që kishin njohur dhe ndihmuar Kosovën në këtë rrugëtim. Ndamë fakte dhe argumente më pranishmit që flasin për reformat dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve. Pastaj folëm për sfidat dhe objektivat tona, si KiE, BE, NATI, OKB. Përmendëm vlerat madhore si shtet, të njëjtat me shtet të tjera nga BE e më shumë. E përmendëm edhe luftën në Ukrainë dhe rreshtimin e duhur të vendit tonë ndaj kësaj lufte të padrejtë të Rusisë.
Nën tingujt e mrekullueshëm të muzikës dhe zërit të artistes Nishliu, festa vazhdoi për gati 3 orë. Të pranishmit kishin mundësinë të bisedonim me Ambasadorin dhe stafin e Ambasadës, sikurse dhe me autoritete dhe qytetarë të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria.
Për mua si Ambasador, ishte një shans i mirë që të bisedoja me dhjetëra Ambasadorë dhe autoritete të tjera politike, për të përditësuar me ta rrugëtimin dhe vizionin euroatlantik të vendit tonë.
Festa përfundoi me përshtypje mjaft të mira, që ndaheshin gjatë gjithë mbrëmjes me neve.
Pjesa e dytë e Destimit tonë ishte të nesërmen. Në një ceremoni shtetërore, që njihet se ravivage de la Flamme (Ringjallja e flakës), Ambasadori, i shoqëruar nga Atasheu i Mbrojtjes e ringjalli atë flakë në Arc de Triomphe. Të pranishmit e shumtë, të ftuar të ARKS-së në Paris, asistuan në këtë moment shtetëror në intonimin e himnit të Kosovës dhe pranisë së flamurit tonë aty.
Është fjala për një flakë, të ndezur që para gati një shekulli, dhe e cila nuk është fikur kurrë.
Ajo flakë ndritë afër varrit të Ushtarit të Panjohur dhe njihet si njëra nga Ceremonitë më madhështore dhe prestigjioze në Francë – çdo President francez e bën pothuajse 4-5 herë në vit.
Në fund të ceremonisë, Ambasadori u nënshkrua në Livre d’Or dhe përshëndeti të pranishmit, si veteran të luftërave të ndryshme nëpër botë dhe misioneve ushtarake, e edhe në Kosovë. Ai përshëndeti dhe flamurtarët, njëri pre të cilëve (një kosovar) e mbante aty flamurin tonë të Kosovës. Ambasadori përshëndet me këtë rast edhe të pranishmit e tjerë jo ushtarak.