Agjencia për Informim dhe Privatësi e ka dënuar me 13 mijë euro Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që drejtohet nga Donika Gërvalla, pasi këta të fundit nuk kanë ofruar qasje në dokumente publike për shpenzimet për udhëtime (karburante) të diplomatit Prindon Sadriu gjatë periudhës shkurt 2019- shkurt 2022.
Ky vendim siç njofton AIP hyn në fuqi 7 ditë pas pranimit të vendimit.
Me shumën prej tre mijë eurove MPJ është gjobitur për shkak të moszbatimit të vendimit Nr A-272/2022 për heshtje ndaj kërkesës për qasje në dokumente publike.
Derisa dhjetë mijë euro është gjobitur për moszbatimin e vendimit Nr A-272/2022 dhe për pamundësimin e realizimit të së drejtës për qasje në dokumente publike.
Nga AIP thonë se MPJ edhe përkundër faktit që ishte paralajmëruar se kishte shtatë ditë afat për të jetësuar kërkesën e palës ankuese, nuk e ka zbatuar vendimin e AIP-së.
Kërkesa ka qenë nga portali Insajderi dhe janë kërkuar “Shpenzimet e udhëtimit (derivateve) të diplomatit z.Prindon Sadriu nga muaji shkurt 2019 deri në muajin shkurt 2022”.
Mirëpo, ky skandal nuk i ka penguar as Osmanin, as Gërvallën e as Prindon Sadriun që sonte në Festivalin Manifesta që po mbahet në Prishtinë të duken të relaksuar dhe pa “gajle” që fshehën shpenzimet dhe shtetit ia humbën mbi 13 mijë euro, shkruan Demokracia.com.
Fotografia është shpërndarë nga zyra e kryeministrit Kurti, pasi edhe ai sonte ishte në Manifesta.
Demokracia.com në vazhdimësi ka raportuar përmes burimeve të veta për shpenzimet dhe pangopësinë e bashkëshortit të presidentes Osmani.
Në dhjetor të vitit të kaluar Prindon Sadriu ia ka kërkuar shtetit të Kosovës 396 euro pasi u infektua me Covid-19. Kjo ka bërë që shumë qytetarë ta shohin gjestin e tij si ‘të pahijshëm’ për shkak të pasurisë marramendëse që zotëron.
I kërkoi para shtetit pasi u infektua me Covid: Kjo është pasuria marramendëse e Zotëriut të Parë
Demokracia.com ka raportuar edhe për shpenzimet e naftës të “Zotëriut të Parë” dhe për privilegjet e tjera për të.
Sadriut nuk i ishin rimburësuar pjesërisht vetëm shpenzimet mjekësore për trajtimin e infektimit me Covid-19, por edhe shpenzimet e derivateve për vajtje-ardhjet e tij nga Prishtina në Shkup dhe anasjelltas, pasi që nuk ishte akomoduar atje për shkak të “specifikave familjare dhe atyre të sigurisë”.
Demokracia.com ka siguruar edhe një kërkesë tjetër të Prindon Sadriut, të bërë më 10 mars 2020, për aprovimin e shpenzimeve të derivateve për shkuarjen e tij në punë në Shkup.
Kjo kërkesë ishte aprovuar nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 01/2018 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ nr. 03/2012 për Shpenzimet Personale dhe Operacionale në Misionet Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Kosovës.
Prindon Sadriu “djeg” buxhetin edhe me karburant për vajtje-ardhje nga Prishtina në Shkup (Dokument)
Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së përmes një emaili, më 2 mars 2020, asokohe i kishte kërkuar Ambasadorit të Kosovës në Shkup, Gjergj Dedajt, që t’ia ofronte Prindon Sadriut mundësinë e shfrytëzimit të karburantit përmes procedurave të ambasadës, deri në gjetjen e banesës për akomodim.