Lajme
MPJD u dënua me 13,000€, pasi fshehu shpenzimet e burrit të Osmanit| Presidente, a jemi të gjithë të barabartë para ligjit?
Demokracia
12:19 | 23 Korrik 2022

Share:

Edhe tani si Presidente e Kosovës, por edhe në të kaluarën si deputete e eksperte kushtetuese, Vjosa Osmani ka qenë e zëshme duke cituar nene të Kushtetutës, ku flitet për barazinë para ligjit të të gjithë qytetarëve apo edhe për rolin që presidenti duhet ta mbajë në përmbushjen e këtyre obligimeve kushtetuese, shkruan Demokracia.com.

Por, Vjosa Osmani si presidente është e zëshme vetëm në rastet kur nuk janë të përfshirë familjarët e saj apo edhe bashkëpartiakët e Listës Guxo dhe të Vetëvendosjes.

Kur duhet të mbajë një qëndrim publik pasi temë bëhet bashkëshorti i saj apo bashkëpartiakët e saj, ajo hesht. Osmani harron fjalimet e saj për barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit.

Roli kushtetues i saj në përfaqësimin e unitetit të popullit të Republikës së Kosovës dhe si garantuese në funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës, ndër të tjera, parasheh edhe transparencën, llogaridhënien dhe zbatimin e ligjeve në fuqi.

Presidentja duhet ta respektojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të mbajë qëndrim publik se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit, ashtu siç thuhet në nenin 24 të saj, pavarësisht se kush janë ata/ato.

Ajo duhet të mbajë qëndrim publik për dënimin që i është dhënë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, pasi e njëjta nuk ka respektuar ligjin dhe ka mbajtur të fshehura nga mediet shpenzimet e burrit të saj, diplomatit Prindon Sadriu.

Po ashtu, presidentja duhet të tregojë qëndrimin e saj publikisht nëse duhet që bashkëshorti i saj të ketë trajtim special nga qytetarët dhe zyrtarët tjerë shtetërorë të Republikës së Kosovës?

Qëndrimi i Presidentes së Kosovës për dëmtimin në vlerën 13,000€ të buxhetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës është shumë i rëndësishëm, pasi që ky institucion edhe drejtohet nga kryetarja e partisë politike, Guxo, e iniciuar nga Osmani para zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021. /Demokracia.com/

Të ngjashme