Lajme
MPJD si LVV-ja, fshiu historikun e proceseve më të rëndësishme të vendit 2008-2016
Demokracia
13:17 | 01 Maj 2022

Share:

Informacionet për proceset më të rëndësishme të vendit, që nga viti 2008 kur u shpall pavarësia e deri në vitin 2016-të, nuk figurojnë në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Te opsioni i lajmeve dhe vitet kur janë publikuar, në MPJD mund të lexohen vetëm ato nga viti 2017 e tutje, raporton Demokracia.com.

Në faqen e MPJD-së figuron edhe viti 2016, por të dhënat lidhur me këtë periudhë kohore nuk hapen fare.

Nuk dihet se cili nga ministrat që kanë udhëhequr këtë dikaster përgjatë këtyre viteve ka bërë një gjë të tillë, por ky dikaster aktualisht udhëhiqet nga Donika Gërvalla – Schwarz. Ndërsa, para saj, në krye kanë qenë Meliza Haradinaj – Stublla dhe Glauk Konjufca, raporton Demokracia.com.

Vlen të theksohet se brenda kësaj periudhe, pra nga viti 2008 deri në 2016, shteti i kishte kaluar shumicën e proceseve më të rëndësishme, si pranimi i njohjeve nga vende të tjera, anëtarësimi në organizata të ndryshme e shumë të tjera.

Të gjithë këto të dhëna nuk figurojnë në faqen e këtij dikasteri të rëndësishëm dhe janë “zhdukur” plotësisht, raporton Demokracia.com.

Deri në vitin 2016 kur edhe ishte zgjedhur president i vendit, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i MPJ-së ishte Hashim Thaçi.

Demokracia.com ka kontaktuar MPJD-në, por këta kanë thënë se e kanë gjetur në të njëjtën gjendje që kur Gërvalla pranoi detyrën si ministre.

Lëvizja Vetëvendosje një praktikë të ngjashme e kishte përdorur edhe në faqen e saj zyrtare. Ajo kishte fshirë historikun e saj, të kaluarën e saj, sapo kishte ardhur në pushtet, duke larguar kështu të gjitha komunikatat dhe qëndrimet e mëhershme politike nga faqja e saj zyrtare./Demokracia.com/

Të ngjashme