Lajme
DOKUMENTE | MPJD-ja vendosë për tenderin 255 mijë euro, ku u “ndeshën” motra dhe shoqja e presidentes Osmani
Demokracia
13:41 | 05 Qershor 2024

Share:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), e cila drejtohet nga Donika Gërvalla, ka shpërblyer me tender për shërbime postale diplomatike kompaninë  “A.L. Dushi” SH.P.K, e cila ka çmim më të lartë prej hiç më pak se 466 % se kompania tjetër që ka qenë në garë për këtë proces prokurimi “3P” SH.P.K, shkruan Demokracia.com.

Në garë për t’i ofruar këto shërbime për MPJD-në kanë qenë dy kompani. Kompania “3 P shpk”, që drejtoreshë menaxhuese është Shqipe Dushi-Peja dhe kompania “A.L. Dushi SH.P.K” me pronare Xhylizare Selimi-Dushi, për të cilën Demokracia.com ka raportuar se është shoqe shumë e afërt e Blinera Osmanit, motrës së të parës së shtetit, por miqësi ka edhe me vetë presidenten Osmani.

Pas garës së ngushtë mes këtyre dy kompanive, më në fund ka fituar kjo e fundit.

Kontrata është kornizë për tri vite në një vlerë prej 250 mijë eurosh. Çmimi i ofruar nga A.L. DUSHI SH.P.K. ka qenë 1,304.55 euro, që është vlera për sasi, pasi MPJD-ja ka vendosur 40 artikuj duke mos e cekur sasinë, por sasia ka qenë ‘një’ dhe në bazë të çmimeve të vendosura për secilën sasi – artikull ka dalë shuma 1304 euro, e cila do të ndalet në momentin kur arrihet çmimi prej 250 mijë eurosh.

Në këtë tender është përdorur procedura me poentim të çmimit. Një nga format më të shpeshta të keqpërdorimeve është përdorimi i kësaj procedure, ku autoriteti kontraktues “nuk e di” sasinë e artikujve dhe vendosë sasinë “një” për secilin artikull. Pastaj përmes poentimit të çmimit është vendosur për fituesin e kontratës.

E veçanta e kësaj procedure është se nuk mund të përdoret kufizimi prej plus/minus 30% i vlerës së kontratës, por kontrata realizohet për aq sa ka mjete të parashikuara për këtë tender.

Bazuar në procesverbalin e hapjes se çmimit total të ofertës me poentim i kompanisë tjetër garuese “3P” SH.P.K ka qenë 230.40 euro ose 466 % më pak se e kompanisë fituese. Por, oferta e kësaj kompanie është vlerësuar e papërgjegjshme nga ministria dhe nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Tenderi ishte hapur në nëntor 2023, por kishte përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe kompania “3 P shpk” e kishte autorizuar që të bëjë ankesë në këtë organ ndaj ministrisë, Shoqërinë e Avokatëve “Sejdiu & Qerkini, pjesë e së cilës është edhe motra e presidentes Osmani, Blinera Osmani, emri i së cilës si e angazhuar nga kompania “3 P shpk” ndodhet edhe në ankesën e ngritur në OSHP.

Tenderi kishte përfunduar tek OSHP-ja për shkak se kompania që po përfaqësohet në “Gjykatën e tenderëve” edhe nga motra e presidentes, nuk është pajtuar që të shpërblehet me kontratë kompania e shoqes së motrës së presidentes Osmani.

Tenderin fillimisht e fitoi “3 P shpk”

Ky tender që peshon hiç më pak se 250 mijë euro ishte hapur më 24 nëntor 2023. Në garë kanë qenë vetëm dy kompanitë e lartpërmendura, të cilat kanë ofruar me çmim për njësi. “3 P shpk” kishte ofertuar me çmim dukshëm më të lirë për njësi ose fiks 233.4 euro, ndërsa “A.L. Dushi SH.P.K” me çmim për njësi 1,304.55 euro.

Pas vlerësimit të ofertave për kontratë është rekomanduar kompania “3P shpk”.

Menjëherë pas këtij vendimi, kërkesë për rishqyrtim ka paraqitur kompania “A.L. Dushi SH.P.K”, duke konsideruar se kompania e rekomanduar nuk ka plotësuar një varg të kërkesave. MPJD e ka miratuar këtë ankesë dhe e ka kthyer në rivlerësim tenderin. Kompania që ishte shpallur fituese herën e parë, ishte eliminuar për një varg arsyesh, të cilat prokurimi nuk i kishte vërejtur herën e parë dhe për kontratë më 13.03.2024 ishte rekomanduar kompania ankuese që ka pasur çmim disa herë më të shtrenjtë, shkruan Demokracia.com.

Me vendimin e ministrisë nuk ishte pajtuar kompania që ishte rekomanduar për kontratë herën e parë dhe ajo menjëherë kishte paraqitur kërkesë për rishqyrtim, duke i ofruar faktet e veta tek ato pika për të cilat ishte eliminuar nga ministria. Demokracia.com ka gjetur se ministria nuk e ka trajtuar fare këtë ankesë. Pasi sipas tyre dokumenti i ankesës është ngarkuar në e-prokurim tek pjesa e dokumenteve shtesë, anise për këtë kompania ankuese ka shkruar se e kishte njoftuar AK-në se kishte bërë gabim në ngarkimin e dokumentit në e-prokurim dhe menjëherë të njëjtin e kishte ngarkuar si dokument të veçantë që kishte të bënte si kërkesë për rishqyrtim. Por, ministria nuk e ka trajtuar fare dhe kjo është arsyeja pse “3 P shpk” ka paraqitur ankesë në OSHP më 25 mars. Pretendimet e saj janë se ankesa është bërë me kohë, por ministria nuk ka vepruar konform ligjit që ta trajtojë atë. (Ankesa dhe ecuria e tenderit)

Tash “Gjykata e tenderëve” ka vendosur në favor të “AL-Dushi”.

Kompanitë e dy shoqeve për të njëjtin tender

Blinera Osmani nuk ka të bëjë asgjë me kompaninë “3P”, e cila merret më shërbimet postare. Shoqërinë e Avokatëve “Sejdiu & Qerkini”, pjesë e të cilës është edhe ajo e ka angazhuar kompania ankuese për përfaqësim ligjor në OSHP.

Nga ana tjetër, Demokracia.com kishte raportuar para dy viteve se edhe Presidenca e Kosovës kishte nënshkruar kontratë për shërbime emergjente postare për nevojat e këtij institucioni. Sipas tenderit të publikuar në Prokurimin Publik, kontratën e kishte fituar kompania A.L. Dushi SH.P.K.

Pronare e kësaj kompanie është Xhylizare Selimi-Dushi për të cilën Demokracia.com ka mësuar se ajo është shoqe e afërt e Blinera Osmanit, motrës së të parës së shtetit, por miqësi ka edhe me vetë presidenten Osmani.

Në fotografitë që kishte siguruar Demokracia.com, motra e Osmanit shihet nën shoqëri të afërt me Xhylizare Selimi-Dushi.

Po ashtu, me Selimi-Dushin ka fotografi të përbashkët edhe vetë presidentja Vjosa Osmani. Ato shihen duke pirë kafe e çaj nën shoqërinë e njëra-tjetrës.

Demokracia.com kishte raportuar se kompania e shoqes së Osmanit, A.L Dushi SH.P.K., do të përfitonte 6 mijë e 500 euro për këtë kontratë, vlera e së cilës ishte parashikuar për 9 mijë e 900 euro.

Sipas dosjes së tenderit, kompania që e ka fituar këtë tender do të bënte dërgesat e dokumenteve apo materialeve tjera për Evropë, Amerikë, Kanada, Azi dhe Afrikë.

“Shërbime postare emergjente për nevojat e ZPRK-së. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Evropë për 0-0.5 kg, sasia 100. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Evropë për 0.6 -1 kg, sasia 20. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Amerikë – Kanada për 0-0.5 kg, sasia 80. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Amerikë-Kanada për 0.6 -1 kg, sasia 10. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Azi – Afrikë për 0-0.5 kg, sasia 20. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Azi – Afrikë për 0.6 -1 kg, sasia 8”, thuhej në dosje, raporton Demokracia.com.

Siç figuron në ARBK, biznesi me të cilin e ka fituar këtë tender, si veprimtari sekondare ka larjen (pastrim kimik) dhe tharjen e tekstileve dhe produkteve të gëzofit, ndërsa si veprimtari të tjera ka edhe rritjen e gjedheve për qumësht, rritjen e deleve dhe dhive, si dhe rritjen e kafshëve të tjera.

Nëse hulumtohet në rrjetet sociale për kompaninë fituese të tenderit nga Presidenca, del që A.L.Dushi SHPK rëndësi të madhe i jep pastrimit kimik. Aty nuk mund të gjendet diçka që ka të bëjë me shërbime postare.

“A.L.Dushi Pastrim Kimik & Lavanderi”, profili në Facebook, shfaq postime për larjen dhe pastrimin e rrobave, derisa aty shfaqet edhe pronarja Xhylizare Selimi-Dushi. Pronarja e A.L.Dushi SHPK flet për rëndësinë e pastrimit kimik në një publikim të bërë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), bankë kjo që e ka ndihmuar kompaninë e saj. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

Të ngjashme