Lajme
​“Është falas regjistrimi”, Qeveria merr vendim të zgjatet afati për tabelat ilegale- MPB-ja jep detaje shtesë
Demokracia
20:52 | 30 Tetor 2023

Share:

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që pronarëve të automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, t’ua shtyjë afatin për riregjistrim në targa RKS, me benefite financiare, deri më 1 dhjetor të vitit 2023. Pas këtij vendimi ka reaguar MPB, duke treguar se është falas regjistrimi nga ilegale në RKS

 

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar të gjitha personat që kanë automjete targa ilegale do të kenë mundësi të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim në targa RKS, deri me datë 1 dhjetor 2023, duke përfshirë taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit.

MPB thekson se bazuar në vendimin e Qeverisë të Republikës së Kosovës të gjithë ata që janë të pajisur me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, nga data 10 qershor 1999 deri me 21 prill 2022, mund të bëjë regjistrimin me targa RKS nga data 1 nëntor 2023, deri me 1 dhjetor 2023.

“Në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve ju do të keni mundësi të përfitoni nga lehtësirat për regjistrim të mjeteve nga targat ilegale në targa RKS deri me datë 1 dhjetor 2023 duke përfshirë: taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit. Mjetet tuaja motorike mund t’i regjistroni në cilëndo qendër të regjistrimit, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit që keni. Ftojmë të gjithë qytetarët tanë, të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA”, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe bashkërisht të përfundojmë me sukses këtë proces. Për çfarëdo informacioni shtesë, ftojmë qytetarët që të na drejtohen me pyetje në [email protected]”, thuhet në njoftim.

Qeveria ka thënë se është zgjatur afati pas kërkesave të mëdha së fundi për regjistrim të automjeteve me targa RKS. Me vendimin e 28 tetorit të vitit të kaluar afati ishte deri në prill të këtij viti.

Vendimi i ri, parasheh që pas datës 1 dhjetor 2023, pronarët e mjeteve të pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri me datë 21 prill 2022, nuk do të kenë më mundësinë që këto mjete t’i regjistrojnë me targa RKS, të hyjnë apo të qarkullojnë në dhe përmes territorit të Republikës së Kosovës, është thënë nga Qeveria.

Qeveria merr vendim: Zgjatet afati për regjistrim të veturave me tabela ilegale – Demokracia

Me përpjekjet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, më 23 nëntor 2022, Prishtina dhe Beogradi sërish e arritën një marrëveshje në kuadër të dialogut, e cila parasheh që Serbia të ndalojë lëshimin e targave të reja me emërtimet e qyteteve të Kosovës, ndërsa Kosova procesin e riregjistrimit.

Megjithatë, të dy palët më vonë e interpretuan ndryshe këtë marrëveshje.

Më 6 dhjetor 2022, Qeveria e Serbisë miratoi një dekret në bazë të të cilit automjetet me targa KM lejohen të lëvizin pa etiketë regjistrimi, gjegjësisht atyre u duhet t’i tregojnë zyrtarëve vetëm një policë sigurimi dhe një certifikatë kontrolli teknik.

Prishtina zyrtare e interpretoi këtë hap të Beogradit si rinovim të regjistrimit me arsyetimin se bie ndesh me marrëveshjen e Brukselit.

Kosova nuk e njeh një riregjistrim të tillë, që në praktikë do të nënkuptonte se ata që e kanë regjistruar veturën e tyre me targa KM në sistemin serb pas nëntorit të vitit të kaluar, nuk mund të lëvizin në territorin e Kosovës.

Çështja e heqjes së targave, që Serbia lëshon për qytetet e Kosovës, ka shkaktuar një sërë krizash në dy vjetët e fundit, si dhe largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri në nëntor të vitit 2022.

Afati i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e targave serbe në Kosovë ka skaduar në prill të këtij viti, por ende në terren ka një numër të madh të automjeteve me targa KM.

Sipas disa vlerësimeve, deri në tetor të vitit të kaluar në komunat e veriut të Kosovës kanë qenë rreth 10 mijë vetura me targa KM.

Të ngjashme