Lajme
MPB do të iniciojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë të rastit të mbrëmshëm
Demokracia
13:59 | 05 Gusht 2023

Share:

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar krijimin e një taskforce për hetim të thellë të rastit të mbrëmshëm, ku pas të shtënave me armë zjarri në lokalin “Bon Vivant” u vra një person dhe u plagosën 20 të tjerë, si dhe rasteve të tjera të ngjashme.

Sipas tij, kjo do të bëhet në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar.

“Drejtësia është virtyt që duhet mbrojtur nga e tërë shoqëria, përfshirë aktivistët e shoqërisë civile dhe gazetarët. Ndjenja e të drejtës duhet të jetë shqetësim për të gjithë ne. Shembujt e ndëshkimit të krimit shërbejnë edhe si mbështetje për rolin e policisë sonë.

Ministria e Brendshme në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar do të inicojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë, jo vetëm të këtij rasti, por edhe të rasteve të tjera të ngjashme!”, ka shkruar Sveçla.

Sveçla ka thënë se palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetëra vepra të mëhershme penale, për të cilët thotë se kanë qenë të lirë për arsye të dështimeve të drejtësisë.

“Në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia. Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetra të rinj të tjerë.

Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme!  Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre”, ka shkruar Sveçla.

Ndryshe, 21 persona kanë mbetur të lënduar pas të shtënave me armë zjarri në një lokal në qendër të Prishtinës, katër prej të cilëve nga arma e zjarrit. Rasti raportohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje.

Një prej të plagosurve ka vdekur sot, në orët e para të mëngjesit.

Të ngjashme