Sport
Motoristi francez Cherpin vdes pas aksidentit në “Dakar Rally”
Demokracia
11:55 | 15 Janar 2021

Share:

Pierre Cherpin, që merrte pjesë në garat me motoçikletë, ka vdekur pesë ditë pas aksidentit që ndodhi në fazën e shtatë të “Dakar Rally”, njoftuan organizatorët të premten, përcjell Demokracia.com.

Cherpin, 52 vjeç, i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje urgjente neurokirurgjike në një spital Jeddah në Arabinë Saudite, ku ishte dërguar për trajtim pas aksidentit.

“Gjatë transferimit të tij me aeroplan mjekësor nga Jeddah për në Francë, Pierre Cherpin vdiq nga dëmtimet e shkaktuara nga rrëzimi”, thanë organizatorët e Dakar Rally.

Vdekja e Cherpin është e para në edicionin e vitit 2021 të Dakar Rally, një ngjarje vjetore që sfidon qëndrueshmërinë e ngasësve dhe makinave, përfshirë motoçikleta, vetura dhe kamionë.

Në garën e vitit 2020, jetën e humbën dy garues, Paulo Goncalves i Portugalisë dhe motoçiklisti holandez Edwin Straver.

“Dakar Rally” është garë që organizohet çdo vit nga “Amaury Sport Organisation”. Nga fillimi në vitin 1978 e deri në vitin 2008, garat ishin zhvilluar nga Parisi në Francë e deri në Dakar, Senegal. Për shkak të kërcënimeve për sigurinë në Mauritani relli ishte anuluar në vitin 2008, ndërsa nga viti 2009 e deri në vitin 2019 është mbajtur në Amerikën Jugore.

Këtë vit, sikur edhe në vitin 2020, “Dakar Rally” mbahet në Arabinë Saudite. Gara zgjat 14 ditë, nga 3 janari dhe përfundon sot më 15 janar. /Demokracia.com

Të ngjashme