Lajme
Mospublikimi i draft-statutit të Zajednicës | Çfarë po fshihet pas asaj që pranoi Kurti?
Demokracia
22:36 | 09 Nëntor 2023

Share:

Janë të pakët njerëzit në Kosovë që e kanë parë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilin kryeministri Albin Kurti e pranoi në Bruksel.

Çka pranoi Kurti në Bruksel, si do të funksionojë Zajednica, a përmban ndonjë shkelje kushtetuese, cili është organizimi i saj dhe shumë çështje të tjera vazhdojnë të mbesin pa përgjigje.

Mostransparenca e kryeministrit Kurti rreth asaj që ka pranuar, ka ngjallur dyshime të mëdha në opinionin publik për atë se çka në të vërtetë ka pranuar ai, shkruan Demokracia.com.

Kurti në përpjekje e sipër që të mbrohet nga kritikët, deputetëve u tha se i është kërkuar nga “pesëshja” që të ruhet konfidencialiteti i këtij plani dhe draft-statuti.

Por, analisti Imer Mushkolaj e ka kritikuar faktin që drafti nuk është bërë publik dhe ka shtuar se kjo mungesë e transparencës shton dyshime mbi të.

“Ky kompromis i madh për serbët në Kosovë, rrjedhimisht edhe për Beogradin, në raport me çka po e bëjmë këtë kompromis, çka po marrim si të dobishme prej kësaj pune, një njohje de-facto, çfarë është njohje de-facto, unë mendoj se njohja është njohje. Kjo është një lloj ideje sikur të njeh Serbia, por nuk të njeh bash tamam. Ne kemi nevojë të na njohë Serbia dhe me vendos raporte diplomatike ndërshtetërore me Serbinë”.

Ai shtoi se Asociacioni mund të themelohet bazuar në draftin që është përfolur e që nuk e kemi parë, edhe është shumë keq që nuk e kemi parë.

“Nëse drafti është përfundimtar dhe nuk ka më se çfarë të diskutohet mbi të, pse mos të bëhet publik, nuk ka arsye, duhet të bëhet publik dhe qytetarët duhet me pas qasje në të, me pa se çfarë po përgatitet në Kosovë. Kjo mungesë e transparencës veç çka i shton dyshimet mbi të”, ka deklaruar Mushkolaj.

Krejt cka dihet është është se ndërmjetësi evropian, Miroslav Lajçak, ka thënë që “nuk tejkalon vijat e kuqe të Palëve të caktuara paraprakisht”, pozicion ky edhe më problematik se ai më 2 maj kur thuhej se gjendej “mes” aspak i artë ndërmjet “draft-vizionit” të Kurtit të konceptuar, sipas modelit kroat për pakicën serbe dhe draft-statutit “thellësisht antikushtetues” në mbi “60 pika” të saj që përbënte “dëshirë të zjarrtë për Republikë Serbe” në Kosovë sipas Kurtit.

Draft-statutin e Asociacionit kanë deklaruar se nuk e kanë parë dy liderët opozitarë, Memli Krasniqi i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së. Vetëm Ramush Haradinaj i AAK-së ka thënë se e ka lexuar në tërësi draft-statutin e pranuar nga Kurti.

Atë e ka parë edhe presidentja Vjosa Osmani. Por, ajo ka thënë se propozimi për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë duhet t’i nënshtrohet një shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese e vendit.

“Në takim u diskutua edhe për të rejat e fundit nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku Presidentja Osmani theksoi se Kosova është treguar vazhdimisht palë konstruktive, ndërsa Serbia vazhdon me qasjen selektive që pamundëson zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit”, u tha në një komunikatë të Zyrës së Presidentes.

Kosovës dhe Serbisë i është prezantuar një propozim për draft-statutin e Asociacionit gjatë takimeve të diplomatëve ndërkombëtarë më 21 tetor. BE-ja ka thënë se ky propozim është një model evropian. /Demokracia.com/

Të ngjashme