Lajme
Mospërputhjet në deklarim të pasurisë- Ku u zhdukën banesa dhe garazhi i papërfunduar i presidentes?
Demokracia
17:09 | 25 Prill 2024

Share:

Presidentja Vjosa Osmani përpara 2022-ës deklaronte në pasurinë e saj se kishte në pronësi një banesë dhe një garazh të papërfunduar. Banesa ishte prej 83 metrash katrorë, ndërsa garazhi 12 metra katrorë. Mirëpo ato s’i figurojnë në deklarimet e pasurisë për 2023-ën dhe 2024-ën. E para e vendit s’ka dhënë ndonjë shpjegim për këtë në formularet që ia ka dërguar AKP’së. Mospërputhje në deklarimet aktuale dhe ato të mëhershme janë parë edhe në luajtjen e vlerave të pasurisë së patundshme të Osmanit dhe zotëriut të parë, Prindon Sadriut.

Banesën e papërfunduar prej 83,51 metrash katrorë presidentja Osmani para 2022-ës e vlerësonte në vlerë prej 40 mijë eurosh. Ndërkaq, garazhin e papërfunduar prej 12 metrash katrorë 2,500 euro.

Mirëpo, në formularët që presidentja ia ka dërguar Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për vitet 2023 dhe 2024-ën nuk i deklaron këto më. Për këto, ajo s’ka dhënë edhe në ndonjë sqarim tek sektori “të dhënat e tjera”.

Shpjegim presidentja s’iu ka dhënë edhe luhatjes së vlerave të pasurive të paluajtshme përgjatë viteve, herë të presidentes e her të bashkëshortit të saj, Prindon Sadriut.

Gazeta Insajderi ka përgatitur një formular, ku përmes hijezimit me ngjyrë të kuqe shënjon rënien dhe me të kaltër ngritjen e vlerave të pasurisë së paluajtshme të së pares së vendit dhe zotëriut të parë.

Një banesë prej 67 metrash katrorë në pronësi të Prindon Sadriut deklarohet në vlerë prej 67 mijë eurosh më 2020-ën. Një vit më vonë 66 mijë, ndërkaq në 2022-ën 70 mijë euro. Më 2023-ën dhe 2024-ën banesës i bie vlera për 10 mijë euro, duke u vlerësuar 59,670 euro.

Njësoj ndodh me një garazhë në pronësi të zotëriut të parë. Për dy vite, ajo mban vlerën e pesë mijë eurove, më pas në 2023-ën dhe 2024-ën i hip vlera për një mijë euro më shumë, pra gjashtë mijë.

Kështu ndodh edhe me një shtëpi tjetër të Prindonit. Për tri vite me radhë, shtëpia prej 150 metrash katrorë për tri vite rresht vlerësohet për 180 mijë euro, ndërkaq më 2024-ën i bie vlera për 10 mijë më pak, pra 170 mijë euro.

Çuditërisht, për 20 mijë euro më shumë iu është rritur vlera edhe të ashtuquajturit “banimit në varg në Kosovë”, apo shtëpisë presidenciale në “Marigona Hill” të Osmanit dhe Sadriut. Në vitin 2023 vlerësohej 170 mijë euro, ndërkaq më 2024-ën 190 mijë sosh.

Vjosa Osmani dhe Prindon Sadriu për një vit arritën t’i lanin 35 mijë euro kredi apo gati tre mijë euro në muaj për huamarrje për shtëpinë në “Marigona Hill” dhe atë në Australi, që ka vlerën e 500 mijë eurove. Krejt kjo shumë u pagua gjatë kohës sa Osmani dhe Sadriu deklaronin bashkë 80 mijë euro të ardhura vjetore. 

Të ngjashme