Lajme
Mospërmbushja e kontratës, dyshimet që rëndojnë mbi përgjegjësit e tenderit problematik të Prishtinës
Demokracia
09:23 | 23 Janar 2024

Share:

Prokuroria e Shtetit ka ndaluar dje dy persona në lidhje me rënien e çatisë në Komunën e Prishtinës, nga ku u lënda një qytetare, e cila gjendet ende në gjendje të rëndë në kujdes mjekësor.

Prokuroria ka njoftuar se njëri nga të ndaluarit është zyrtar i Komunës së Prishtinës, ndërsa tjetri përgjegjës i kompanisë punuese.

Raportohet se dy të arrestuarit janë: Bekim Baftjaraj dhe Ylber Jashari, i pari arkitekt, mbikëqyrës i punimeve nga operatori ekonomik “NBT-ING” dhe i dyti inxhinier, menaxher i projektit i caktuar nga Komuna e Prishtinës.

Për çka dyshohen Baftjaraj dhe Jashari?

Të dy siç mëson Gazeta Sinjali dyshohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke mos përmbushur detyrat me te cilat kanë qenë te obliguar me ligj.

Arkitekti dhe inxhineri dyshohet se nuk kanë përfunduar punimet sipas kontratës dhe si rezultat i kësaj është rrezuar kulmi i objektit të Komunës së Prishtinës.

Mbi Baftjarajn dhe Jasharin rëndojnë veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Shkaktimi i rrezikut te përgjithshëm”.

Kulmi i objektit që ishte përuruar më 2009 u rrëzua një vit pas rikonstruktimit

Objekti i Komunës së Prishtinës, në lagjen “Arbëria”, ishte përuruar në teteor të vitit 2009.

Kjo ndërtesë atë kohë ishte përuruar nga ish-kryetari Isa Mustafa, dhe pati kushtuar komunë 4 milionë e 370 mijë euro.

200 mijë euro ishin dhënë si donacion nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe mbi 300 mijë dollar nga Banka Botërore.

Por, kulmi i objektit që ka një sipërfaqe prej 8 mijë metrave katrorë, është rindërtuar vitin e kaluar.

Tenderi në vlerë prej 386 mijë eurove ishte fituar nga “NBT-ING” me bazë në Suharekë.

Pronar i kompanisë figuron Behxhet Baftjaraj, bazuar në të dhënat publike në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.

Kompania në të kaluarën figuron se ka qenë e Tahir Sopës, biznesmenit suharekas që ishte arrestuar me akuzat për mashtrim, falsifikim, dhe keqpërdorim në prokurim publik.

Kulmi i objektit të komunës së re të Prishtinës është rrëzuar pas një ere të fortë, ku për pasojë një vajzë 23 vjeçe ka marrë lëndime të rënda.

Ajo po vazhdon të trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Të ngjashme