Kryeministri Albin Kurti është i pari drejtues i Qeverisë së Kosovës, i cili udhëheq dialogun, por që kishte prezantuar idenë e “mosnjohjes së Kosovës nga Serbia”.
Fjalimi i Kurtit në universitetin me renome botërore, Oxford, më 7 qershor 2022, duket se nuk është vetëm një deklaratë e pamenduar mirë. Tani ‘mosnjohja’ po kthehet në qendër të marrëveshjes Kosovë – Serbi, shkruan Demokracia.com.
Vetëm 5 muaj pas deklaratës së Kurtit, edhe i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Gabriel Escobar, më 21 tetor 2022, ka folur për mundësinë që njohja të mos përfshihet në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Kurti gjatë një ligjërate të mbajtur në Oxford, ishte shprehur qartë. Mundësinë që Serbia të mos e njohë shtetin e Kosovës, ai e kishte shtruar në kontekstin e dialogut që lehtësohet nga Bashkimi Evropian.
“Për të qenë i sigurt, unë mbetem i përkushtuar ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja me lidershipin aktual të Serbisë. Njohja nga Serbia është gjithmonë e mirëseardhur dhe sa më shpejt të vijë, aq më mirë për të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor, por Republika e Kosovës sigurisht që mund të jetojë dhe të lulëzojë edhe pa të”, kishte deklaruar Kurti, përcjell Demokracia.com.
Gjatë muajit tetor kanë filluar të qarkullojnë ide se në marrëveshjen me Serbinë mund të mos përfshihet njohja e shtetit të Kosovës.
Për këtë çështje është pyetur edhe Emisari i SHBA-së, Gabriel Escobar, në një intervistë për televizionin publik serb RTS, ku ka thënë se Uashingtoni do të mbështeste një marrëveshje pa njohje reciproke nëse të dy palët pajtohen.
“Ju po e përdorni fjalën “presion” gjatë gjithë kohës. Nuk do ta quaja presion, por inkurajim. Ne duhet të gjejmë një rezultat përfundimtar shumë të qëndrueshëm që i përshtatet të dy vendeve. Qëndrimi ynë gjatë gjithë kohës ka qenë se njohja është ndoshta zgjidhja më e mirë, por nëse të dyja palët gjejnë një zgjidhje të tjetër, ne do ta mbështesim atë”, ka thënë Escobar.
Escobar: Mbështesim marrëveshje pa njohje nëse pajtohen Prishtina dhe Beogradi
Sidoqoftë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë transparent për të treguar se çfarë është negociuar në Bruksel. /Demokracia.com/