Lajme
Moscertifikimi i Kurtit, vrasja e rëndë në Prishtinë e varianti britanik: 7 ngjarjet që shënuan këtë javë
Demokracia
07:50 | 31 Janar 2021

Share:

Nga moscertifikimi i disa kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit, duke përfshirë këtu edhe Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje, ngjarja e rëndë ku babai vrau të birin në Prishtinë si dhe paraqitja e rasteve me variantin britanik të koronavirusit, Demokracia.com iu sjellë 7 ngjarjet më të rëndësishme që karakterizuan javën që po lëmë pas.

Gjatë së martës Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP), vendosi që të mos certifikojë disa kandidatë për deputetë, pas ankesave të dorëzuara nga partitë ndaj KQZ-së.

Në mesin e tyre, hynë edhe anëtarë të VV-së, AAK-së e Nismës, të cilët më pas do të dorëzonin ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën Supreme.

LEXO edhe:

Moscertifikimi i listave zgjedhore, PZAP-i fillon publikimin e vendimeve për ankesat

Sidoqoftë, po në këtë ditë ndodhi një ngjarje e rëndë në vendin tonë. Skënder Krasniqi dyshohet se vrau të birin e tij Albert Krasniqi.

Lajmi u konfirmua për Demokracia.com edhe nga policia e Kosovës.

 “Rreth orës 17:00 policia ka marrë informatën për një vrasje të ndodhur në rrugën ” Ndue Perlleshi” në Prishtinë. Menjëhere pas marrjës se informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojne në hetimin e rrethanave që karakterizojne ngjarjen’’-thotë Ahmeti.

Viktima u varros vetëm një ditë më vonë, ndërsa ndaj dorasit Gjykata ka caktuar një muaj paraburgim.

LEXO edhe:

Gjykata merr vendim për babanë që vrau të birin në Prishtinë

Ngjarje tjetër që karakterizoi këtë javë kanë qenë edhe reduktimet me ujë në disa qytete të Kosovës, si Prishtina, Obiliqi e Fushë-Kosova, të cilat erdhen si pasojë e vërshimeve të mëdha nga reshjet e shiut.

Lidhur me këtë Demokracia.com ka biseduar me kryeshefin  ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellsit KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa.

“Për shkak të situatës së krijuar së fundmi nga niveli i lartë i turbullirës në kanalin e Ibër Lepencit, kanal prej të cilit merret uji i pa përpunuar për tu trajtuar pastaj për pije (ITUP Shkabaj/ që si pasojë është jashtë funksionit), e kemi pasë të pamundur trajtimin e ujit për pije konform standardeve dhe teknologjisë që posedojmë.”, tha Xhafa.

Me uljen e reshjeve të shiut, është rikthyer furnizimi me ujë të pijshëm edhe në këto komuna.

Disa qytete në Kosovë pa ujë të pijshëm, nga Ujësjellësi sqarojnë gjithçka

Në Kosovë, gjatë kësaj jave u diskutua edhe për korrupsionin. E sa i përket kësaj çështje, vendi siç duket nuk ka bërë progres.

Instituti Demokratik i Kosovës ka bërë të ditur se rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2020 konfirmojnë vazhdimin e stagnimit në luftën kundër korrupsionit.

Për të dytin vit radhazi, Kosova shënoi 36 pikë duke u renditur në pozitën e 104 nga 180 vende, së bashku me Shqipërinë, Algjerinë, Bregun e Fildishtë, El Salvador, Vietnamin dhe Tajlandën.

LEXO edhe:

Kosova renditet e 104-ta nga 180 vende të përfshira në vlerësimin për luftën kundër korrupsionit

Sa i përket situatës me COVID-19, varianti i ri britanik ka arritur edhe në vendin tonë.

Gjatë së premtes u konfirmuan tre rastet e para të koronavirusit britanik, por që sipas IKSHPK-së dhe MSH-së, gjendja e të infektuarve është e mirë.

“Të gjitha rastet janë të shëruara dhe nuk kanë asnjë problem me shëndetin e tyre”, u shpreh drejtori i Institutit, Naser Ramadani.

LEXO edhe:

Regjistrohen rastet e para me variantin e ri të koronavirusit në Kosovë

E po në këtë ditë, Gjykata Supreme ku partitë u ankuan sërish lidhur me moscertifikimin e disa kandidatëve në listat e tyre, publikoi vendimet e saj.

Sipas këtij institucioni, Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut nga LVV u është ndaluar kandidimi në zgjedhjet e 14 shkurtit, ndërsa nga AAK, iu lejua të garojë vetëm Shemsedin Dreshaj nga katër persona për të cilët ishin ankuar.

Sa i përket Nismës Socialedemokrate, Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazë ankesën duke ua ndaluar kështu kandidimin 12 personave.

Lidhur me këtë, LVV ka paralajmëruar ankesë edhe në Kushtetuese.

LEXO edhe:

Ky është vendimi i plotë i Gjykatës Supreme lidhur me partitë që u ankuan për vendimin e PZAP-it

Ndërkaq gjatë së shtunës, partitë kanë dorëzuar sërish në KQZ listat me kandidatët për deputetë. LVV, AAK dhe Nisma Socialdemokrate nuk kanë bërë rënditje të re.

“Sot më datë 30 janar, partive u është dhënë afat për të ri-radhitur listat e kandidatëve nga Zyra për Regjistrim. Me rast të listave me minus kandidatë, ato hapsira dhe broshura të kandidatëve do të hijezohen, shënjohen për të evituar vendosjen gabim të votive të kandidatëve. Në orën 16:00, kemi pranu njoftim nga katër subjekte politike që do t’i mbajnë listat siç kanë qenë në fillim, VV, AAK, PDAK dhe Nisma.”, është thënë në mbledhjen e KQZ-së

Vlen të theksohet se Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje shkon pa bartës liste, meqenëse Albin Kurtit i është ndaluar kandidimi për shkak të veprës penale të konfirmuar në tre vitet e fundit.

Ndryshe, zgjedhjet parlamentare në Kosovë pritet që të mbahen më 14 shkurt./Demokracia.com

LEXO edhe:

VV edhe zyrtarisht shkon në zgjedhje pa bartës liste

LEXO edhe:

As AAK e Nisma nuk ndryshojnë renditjen në lista, pavarësisht vendimit të Supremes

Të ngjashme