Forumi i Paqes në Paris ka mbledhur liderë nga vende të ndryshme të botës.
Nga ajo që është parë në ditën e parë të forumit, shumica e vendeve janë përfaqësuar me presidentët e tyre.
Vetëm Kosova e vogël është përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.
Të pranishëm në këtë forum janë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe liderë të tjerë nga rajoni, përfshirë edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq.
Tensionet e fundit në veri të vendit, pas vendimit për targat nga Kosova dhe rritja e presionit ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshje më të shpejt më Serbinë, mbase mund të jenë arsye që Kosova është e vetmja që po përfaqësohet nga dy krerë të institucioneve më të larta, Osmani e Kurti. Por, e njëjta gjë nuk po ndodh edhe me fqinjët verior, palën tjetër të dialogut.
Nuk dihet ende arsyeja pse Kosova po përfaqësohet nga Osmani e Kurti, ndonëse mund të ketë edhe papajtueshmëri në qëndrime edhe mes vetë këtyre dyve.
Pikërisht sot, kryeministri Kurti ka takuar në Paris shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, por me vete nuk e ka marrë presidenten Osmani, por zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmetin.
Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate të lëshuar nga Qeveria e Kosovës.
“Dinamizimi i dialogut Kosovë-Serbi, zbatimi i vendimit për targat ilegale, zhvillimet e fundit në Kosovë, dhe çështje tjera aktuale ishin temat qendrore të takimit, ku morën pjesë edhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshik Ahmeti dhe këshilltarët e kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Fisnik Korenica”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Me këtë rast, Qeveria e ka bërë të ditur që këshilltar i Kurtit tani është edhe Fisnik Korenica, i cili gjatë gjithë këtyre viteve i ka shërbyer atij dhe Osmanit në emër aktivitetit të tij si pjesë e shoqërisë civile.
Osmani e Kurti gjatë ditës së djeshme kanë takuar së bashku presidentin francez Emmanuel Macron.
Ata pas takimit kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët, ku ndër të tjera kanë treguar se kanë diskutuar edhe për planin franko-gjerman, për të cilin kanë thënë se është një bazë e mirë për arritjen e marrëveshjes.
Në takim me presidentin Macron, Osmani dhe Kurti kanë diskutuar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dinamizimin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë, rajon dhe Evropë.
“Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë potencuar se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa kanë deklaruar se propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme. Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë folur edhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit, duke theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për paqe, stabilitet dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë përmendur tendencat destabilizuese të Serbisë, përmes fuqizimit të strukturave ilegale të saj në Kosovë, frikësimit të qytetarëve serbë dhe nxitjes së grupeve kriminale për ta cenuar rendin dhe ligjin në veri. Presidentja dhe Kryeministri kanë thënë se Kosova do të vazhdojë të jetë e koordinuar me partnerët ndërkombëtar për adresimin e sfidave të sigurisë.”, është thënë në komunikatën e përbashkët.
Përderisa presidentja Osmani do të jetë pjesë e një paneli me temën “Navigimi në trazirat ndërkombëtare”, kryeministri Kurti nuk është paralajmëruar se do të jetë pjesë e ndonjë paneli.
Ai atje ka shkuar me shpresën se do të arrijë të zhvillojë një takim me presidentin serb Vuçiq, por Vuçiq tha se nuk e beson se do të ndodhë një takim me Kurtin.
Ndryshe, Forumi i Paqes në Paris, i krijuar në mars të vitit 2018, çdo vit mbledh liderët botërorë e krerët e organizatave të ndryshme ndërkombëtare për të diskutuar për një mori çështjesh dhe tenton të gjejë forma të veprimit kolektiv.
Sipas faqes zyrtare të këtij forumi, tema kryesore e cila pritet të diskutohet nga pjesëmarrësit në këtë edicion është kapërcimi i krizave./ Demokracia.com/