Lajme
“Mos u nisni kurrë për Beograd, puna nuk ish hiç mirë”, rrëfimi i kosovarit që u arrestua nga serbët
Demokracia
16:31 | 30 Mars 2022

Share:

Deçanasi, Abaz Beqiraj pak ditë më parë u arrestua nga policia serbe në kufirin Hungari-Serbi. Ai u mbajt atje duke mos kontaktuar me familjen e cila ishte e injoruar edhe nga Ministria e Gërvallës që nuk kontaktuan me ta për orë të tëra.

Sipas raportimit të mediave arsyeja e arrestimit mund të ishte një dënim në vitin 2010, por, e vërteta qëndron ndryshe.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Abaz Beqirajn, i cili u kthye mbrëmë vonë në shtëpi nga kryeqyteti i Serbisë.

Beqiraj tha se kur në momentin që morën letërnjoftimin e tij për verifikim, një zyrtar policor erdhi dhe e mori me vete duke i thënë se arsyeja lidhet me një dënim në vitin 2010 e që sipas tij ishte i pa paguar.

Kjo arsye më vonë u shndërrua në një të pavërtetë vetëm kur Beqiraj u ftua nga policia për intervistim.

“Kur erdha në Suboticë ma morën letërnjoftimin, kur e vendosën në aparatin e tyre ju ka dalë një vijë e kuqe aty që ka tregu se unë kam shërby si ushtarë gjatë luftës. Polici më largoi edhe më tha merre çanten, paraburgim isha prej orës 11:00 deri në 16:00, kërkush nuk ka folë me mua“, tha Beqiraj për Insajderin.

Ai tregoi se pastaj aty erdhën dy zyrtarë të tjerë policor dhe e morën për ta dërguar në burgun e Beogradit. Nga aty Beqiraj është intervistuar e para tij janë prezentuar disa dokumente në lidhje me angazhimin e tij si ushtarë duke u akuzuar për sulm ndaj disa blloqeve me ushtarë.

“Më vonë aty kanë ardh dy polic tjerë që më kallëzun që kan mem dërgu në Beograd, mi kan marr senet telefonin menjeherë ma kan ndal. Atje më morën në pyetje, edhe mi paraqiten krejt letrat pse jom arrestu, aty në letër tregojke qe jam kon ushtar dhe më thanë që “grupi juve ka sulmu blloqet që i kemi pas anej menihere kur ka hy NATO“, tha ai për Insajderin

Intervistimi i Beqirajt vazhdoi edhe në ditën e dytë të qëndrimit atje kur edhe u njoftua se tanimë mund të lirohej.

I pyetur për trajtimin që kishte ai e spjegoi si jo agresiv dhe me mirësjellje.

“Po tash trajtimi ka qenë sikur në burg, por ska pas as agresivitet as naj sjellje të keqe diçka ushqimin e kanë sjellë ani pse nuk u hajke“, tha ai.

Beqiraj tha se ai nuk ndihej mirë as në aspektin psikologjik pasi të përballej me Serbinë përsëri nuk ishte lehtë e përballueshme.

“Sa kam qëndru aty sjam kon hiç mirë se jam ndi shumë keq edhe shumë i mërzitur e sidomos kur jam përballë me ta pas një lufte në Kosovë“, shtoi Beqiraj.

Të ngjashme