OpEd
Mos lejoni që AI-ja të bie në grackën e klimës
Demokracia
08:42 | 01 Qershor 2023

Share:

Nga: Pilita Clark / The Financial Times

Është një fenomen i lëshuar nga njerëzit, që mund të riformësojë jetën që ne njohim. Paralajmërimet shqetësuese të ekspertëve e kanë shtuar brengën e publikut. Zyrat e bordeve po përpiqen ta kuptojnë. Të rinjtë kanë frikë se kjo do të dëmtojë të ardhmen e tyre. Qeveritë po hartojnë rregulla për ta zbutur.

Po, kjo është inteligjenca e avancuar artificiale [AI]. Por, e përshkruan gjithashtu një kërcënim tjetër më të njohur: ndryshimin e klimës.

Këtë vit, teksa përfitimet e mëdha në teknologjinë e AI-së nxitin thirrjet për një rregullim të koordinuar global, disa ekspertë mendojnë se duhet të mësojmë nga modelet ndërkombëtare për trajtimin e ndryshimeve klimatike. Dhe, kanë të drejtë ta bëjnë këtë, deri në një masë. Të dy problemet në thelb janë ndërkombëtare, kështu që kontrolli i arnuar kombëtar nuk do të funksionojë.

Por, gjeneratat e ardhshme nuk do të na falënderojnë për përsëritjen e grackave që në tri dekadat e fundit rezistuan ndaj përpjekjeve për t’i kontrolluar ndryshimet klimatike – veçanërisht duke marrë parasysh përfitimet e mëdha që premton AI-ja.

Nëse përdoret mirë, inteligjenca artificiale mund të transformojë trajtimin tonë për kancerin, varfërinë dhe madje edhe vetë ndryshimet e klimës. Ngrohja globale, nga ana tjetër, ka më pak gjëra pozitive. Një botë më e ngrohtë mund t’i bëjë fermat më pjellore dhe i ftohti ekstrem do të jetë më pak i rrezikshëm në disa vende. Por, raportet autoritative shkencore nga Paneli Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshimet Klimatike [IPCC], thonë qartë se vetëm për shëndetin e njeriut ka shumë pak shembuj të rezultateve të dobishme nga ndryshimet klimatike të cilit do nivel.

Disa vënë në dyshim përfundimet e këtyre raporteve, por imagjinoni se sa e vështirë do të jetë të bashkërendohen përpjekjet për të ulur emetimet e karbonit nëse nuk ka konsensus të tillë shkencor. Ekspertët e inteligjencës artificiale nuk kanë nevojë ta paramendojnë këtë. Ata janë thellësisht të ndarë, në aspektin politik dhe teknologjik, se sa dëme mund të vijnë dhe se sa dëme shkakton tash.

Pra, ka interes të kuptueshëm për të parë nëse modeli IPCC-së mund të funksionojë për AI-në. “Kjo me të vërtetë është një pyetje që kërkon veprim të shpejtë mes politikanëve”, më thotë profesori Robert Trager, nga Qendra për Qeverisjen e AI-së.

Kjo ka kuptim, megjithëse duke marrë parasysh shpejtësinë marramendëse të përparimeve të inteligjencës artificiale, një Panel Ndërqeveritar për Inteligjencën Artificiale do të duhej të ishte shumë më i shkathët sesa paraardhësi i tij për klimën, të cilit zakonisht i janë dashur gjashtë vjet apo më shumë për t’i nxjerrë raportet më të mëdha.

Për më tepër, IPCC-ja është pjesë e një kuadri më të gjerë global të klimës që ofron shumë mësime se çfarë nuk duhet bërë për inteligjencën artificiale.

Paneli u krijua në vitin 1988, në një vit me pika të kthesave klimatike që pasqyrojnë shumë nga ato që shohim për AI-në më 2023. Në të dy vitet, ekspertë e respektuar kanë lëshuar paralajmërime tronditëse. Në vitin 1988, shkencëtari i NASA-s, James Hansen, dëshmoi në Senatin e SHBA se “efekti serë është zbuluar dhe se tani po e ndryshon klimën tonë”. Kjo nuk ishte kambana e parë zyrtare e alarmit që u dëgjua për ngrohjen globale, por u fut në titujt e faqeve të para dhe i përforcoi përpjekjet e hershme për të adresuar emetimet e karbonit.

Diçka e ngjashme ka ndodhur në vitin 2023, pasi Elon Musk, bashkëthemeluesi i Apple-it, Steve Wozniak, dhe së fundmi “kumbari” i AI-së, Geoffrey Hinton, kanë paralajmëruar për rreziqet që teknologjia paraqet për njerëzimin.

Vetëm këtë muaj, G7 ka bërë thirrje për standarde të reja për ta mbajtur AI-në “të besueshme”, ndërsa Shtëpia e Bardhë, Senati i ShBA-së dhe Kryeministria e Britanisë së Madhe, janë takuar me shefat e AI-së për ta diskutuar teknologjinë e tyre kontestuese. Ndërkohë, BE-ja e po finalizon një Akt novator të AI-së që synon t’i bëjë sistemet më të sigurta dhe më transparente.

Megjithatë, ka një marrëveshje të shtuar se nevojitet bashkëpunim ndërkombëtar për AI-në. Disave u pëlqen modeli i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Të tjerët e preferojnë shembullin më pak ndërhyrës të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil. Është një agjenci e OKB-së, e cila gjithashtu është selia e sekretariatit të klimës që u krijua pasi më 1992 udhëheqësit botërorë mbështetën një traktat ndërkombëtar për t’i luftuar ndryshimet klimatike.

Takimet vjetore të “konferencës së palëve” në traktat, ose COP, çuan në vendosjen e objektivave më të detajuara klimatike me Protokollin e Kiotos të vitit 1997 dhe me Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015. Megjithatë, sot, emetimet mbeten në nivele rekord. Arsyet për këtë janë komplekse dhe të shumëfishta, por nuk ka ndihmuar që COP-ët e klimës të japin një kuptim të ri për fjalën “akullnaja”.

Kjo pjesërisht sepse vendimet e COP-it në fakt kërkojnë konsensus nga afro 200 vende – një recetë për përparim më të ngadalshëm e më të pashpresë. Në vitin 2018, zyrtarët e administratës Trump ndihmuan që në një takim të COP-it të bllokohet miratimi i përfundimeve të një raporti të IPCC-së të porositur në mbledhjen e mëparshme.

COP-të e klimës shërbejnë për një sërë qëllimesh të dobishme. Do të ishim shumë më keq pa to. Por. ato gjithashtu tregojnë se çfarë duhet shmangur teksa i kërkojmë mënyrat për të qenë të sigurt se AI-ja do të funksionojë për ne dhe jo anasjelltas. /Telegrafi/

Të ngjashme
OpEd • 18 Prill 2024