Arbnor Morina është parë i dëshpëruar pasi skuadra e tij, Arbëria i dha lamtumirë garës së Kupës së Kosovës, pasi u mund nga Feronikeli me rezultat 1:0, shkruan Demokracia.com.
Trajneri i skuadrës nga Dobraja, pas ndeshjes për “Art Sport” ka theksuar se skuadra e tij gaboi në momente të caktuara dhe kjo i ndëshkoi.
“Me gabimin tonë e pranuam golin dhe kjo nuk është hera e parë. Një pakujdesi në mesin e fushës dhe u ndëshkuam. Ndoshta dhemb më shumë sepse pranuam gol në çastet e fundit të ndeshjes dhe po bëheshim gati për vazhdime.
Por, duhet pranuar që skuadra luajti dhe u angazhua. Ne patëm disa mundësi dhe nuk i konkretizuam. Ndonjëherë fati duhet ta kesh me vete. Mungesa e Labinot Ibrahimit ishte evidente, sepse ai është një futbollistë shumë i rëndësishëm për ne”, ka thënë Arbnor Morina. /Demokracia.com