Në vitin 2024, rreth 90% e rrymës nga importi erdhi përmes “Noa Energy Trade”, një kompani nga Shqipëria që hyri furishëm në tregun e Kosovës, qysh në vitin e parë të licencimit në vitin 2022. ZRrE e KESCO heshtin rreth procedurave që u ndjekën për angazhimin e kësaj kompanie, shkruan Buletini Ekonomik.
Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka përzgjedhur të njëjtën kompani gati në të gjitha rastet e importeve të energjisë elektrike gjatë vitit 2024.
Reth 90 për qind e rrymës nga importi erdhi përmes “Noa Energy Trade”, një kompani nga Shqipëria që hyri furishëm në tregun e Kosovës, qysh në vitin e parë kur e mori licencën nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) në 2022-shin.
Prej 68.9 milionë euro sa ishte vlera e importeve nga KESCO në vitin 2024, mbi 62 milionë euro u takojnë importeve vetëm përmes kompanisë “Noa Energy Trade”. Për një vit, nga kjo kompani janë importuar energji elektrike gjithsej 345 mijë e 566 megavatë në orë.
Të dhënat zyrtare që ka siguruar Buletini Ekonomik, tregojnë se kjo kompani, me bazë në Tiranë, ishte e pakonkurrencë me ‘rivalët’ që kanë po ashtu licencë nga ZRrE për tregtim me energji elektrike.
Përveç “Noa Energy Trade”, në listën e importuesve janë edhe pesë kompani tjera, ku prinë kompania “GEN” me vlerë të importeve 6.2 milionë euro, e pasuar nga “Danske Commodities” me 566 mijë e 407 euro vlerë importi. Ndërsa, kompanitë “Future” dhe “MCM”, së bashku importuan rrymë në vlerë mbi 50 mijë euro.
ZRrE e KESCO heshtin rreth procedurave të importit
KESCO është kompani përgjegjëse për furnizim me energji elektrike për qytetarët e Kosovës. Në rastet e importeve, KESCO blen rrymë nga kompani që merren me tregtim të energjisë elektrike, që janë të regjistruara në bursat ndërkombëtare dhe kanë licencë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE). Të licencuara për tregtim me energji elektrike në Kosovë janë gjithsej 19 kompani.
Nga ZRrE e as nga KESCO, nuk është sqaruar nëse për angazhimin e “NOA Energy Trade” janë përdorur procedurat që parashihen me rastin e blerjeve të energjisë elektrike nga importi.
Duke qenë se KESCO është kompani e rregulluar dhe nën mbikëqyrjen e ZRrE-së, ajo i nënshtrohet procedurave që dalin nga Regullorja e KOSTT me titull “Procedura për Tregtimin e Energjisë Elektrike”. Kjo rregullore parasheh tregtimin afatgjatë, përkatësisht shitjen/blerjen e energjisë elektrike për një periudhë prej një muaji apo më gjatë, dhe tregtimin afatshkurtër që nënkupton shitjen/blerjen e energjisë elektrike për një periudhë deri në një muaj, një ditë përpara, apo brenda ditës, që nga momenti i pranimit/dërgimit të energjisë elektrike.
Tregtimi afatshkurtër i energjisë elektrike organizohet nëpërmes një mekanizmi të kontratave kornizë dhe ankandeve.
Edhe kur përdoret kontrata kornizë apo ankandi, KESCO, sipas kësaj rregulloreje, është e obliguar që të jetë e hapur për të gjithë tregtarët që kanë të drejtë ligjore për të tregtuar energjinë elektrike.
Rregullorja e obligon KESCO-n që të hapë ankand në secilin rast kur importon energji elektrike, duke u dhënë mundësi për të ofertuar të gjithë tregtarëve që kanë licencë nga ZRrE. Një kërkesë për ofertë duhet t’u dërgohet tregtarëve me e-mail apo thirrje telefonike. Derisa qëllimi final është zhvillimi i konkurrencës që të vihet deri të një çmim sa më i favorshëm.
Kompanitë me licencë të ZRrE-së që i shesin rrymë KESCO-s, zakonisht zbatojnë një çmim tavan që i referohet çmimit në ndonjërën prej bursave ndërkombëtare. Por, çmimi mund të bie, varësisht prej ofertimit nga “konkurrentët” në procedurën e ankandit.
KESCO në adresimet e Buletinit Ekonomik ka dhënë përgjigje përgjithësuese kur është pyetur nëse janë ndjekur këto procedura në rastin e importeve të energjisë elektrike gjatë vitit 2024. Kanë thënë shkurt se “Kur bëhet fjalë për procedurat e prokurimit për operimet e importeve ditore, ne kemi të ndërtuara procedurat e brendshme të cilat janë të pranuara nga ZRrE”. Por, nuk kanë dhënë sqarime të mëtejshme nëse këto procedura janë në harmoni me rregulloren e KOSTT-it.
Buletini Ekonomik i është drejtuar me pyetje edhe ZRrE-së për të kuptuar se cilat janë këto “procedura të brendshme”, për të cilat KESCO thotë se janë “pranuar nga ZRrE”, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Për tri vite, “NOA” realizoi qarkullim prej 357 milionë eurove
“NOA Energy Trade” është licencuar nga ZRrE më datë 02.12.2021, vetëm pak muaj pasi ishte regjistruar si biznes në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Qysh në vitin e parë të punës, më 2022, sipas të dhënave që kjo kompani ka raportuar në Ministrinë e Financave, përkatësisht në Këshillin Kosovar për Raportim Financiar, realizoi qarkullim vjetor prej 54 milionë eurove. Në dy vitet pasuese, qarkullimi u trefishua, më 2023 shkoi në rreth 142 milionë euro, kurse më 2024 – në 161 milionë euro. Të dhënat për vitin 2024, janë siguruar nga platforma Data4x.
Në Shqipëri, “NOA Energy Trade” funksionon si kompani që merret me tregtim të energjisë elektrike që nga viti 2014. Është e njohur për kontrata me Korporatën Elektro-Energjetike Shqiptare (KESH).
Përfaqësues i autorizuar për Kosovë është Gentian Sula, një biznesmen nga Shqipëria, i njohur më shumë si drejtues i një kompanie të sigurimeve në Shqipëri. Nga kompania nuk janë përgjigjur rreth përvojës në tregtim me energji elektrike dhe angazhimin në sektorin e energjisë në Kosovë.
“Monopoli” i NOA-s trashi çmimin e importit
Gjatë vitit 2024, Kosova u përball me çmime enorme sa i përket importit të energjisë elektrike. Sipas vlerësimeve të ZRrE-së, Kosova në vitin 2024 importoi rrymë me një çmim mesatar prej 181.34 euro për megavat/orë, dyfish më shumë se parashikimi prej 97.79 euro për megavat/orë. Sipas ZRrE-së, kjo është një nga arsyet kryesore për miratimin e tarifave të reja, për 16.1 përqind me të larta për këtë vit.
Në këtë mesatare ndikuan sidomos kostot për transport të energjisë përmes rrugëve tregtare. Si kurrë më parë, pati rritje të kostove për transport të energjisë për 907 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023. Nga rreth 1 milion euro, vetëm për transport të energjisë shkuan rreth 10 milionë euro.
Kjo “anomali” e rrallë në historikun e blerjeve të energjisë elektrike nga KESCO, ku transporti i energjisë në raste rezulton shumëfish më i shtrenjtë se vetë blerja e rrymës, është konstatuar edhe në dokumentet publike që iu kanë dorëzuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).
Kjo rritje për 907 për qind në kostot e transportit të energjisë më 2024, ka prodhuar dy shpjegime, njërin nga KESCO dhe tjetrin nga ZRrE. Të dyja elaborimet janë pothuajse në “linja të njëjta”.
Sipas KESCO-s, rritja erdhi pasi kapacitetet ndërkufitare të transmisionit ishin të kufizuara gjatë vitit të kaluar, duke iu referuar bllokadës së linjave nga Serbia, dhe një kufizimi të dukshëm nga Shqipëria, pas funksionalizimit të bursës mes Kosovës dhe Shqipërisë, ALPEX.
Sipas të dhënave të ZRrE-së, KESCO bleu energji nga ALPEX më 2024 vetëm 359 megavatë për orë, apo energji në vlerë prej 47 mijë e 993 euro.
Por, ekspertët e energjisë me të cilët ka biseduar Buletini Ekonomik, japin edhe një version tjetër. Ata thonë se këto situata i shfrytëzojnë mirë tregtarët e energjisë, sidomos në rastin e Kosovës, ku 90 për qind e importit është i varur nga një kompani e vetme.
Njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa, i sheh dy probleme kryesore tek importi i energjisë elektrike gjatë vitit 2024.
“Është shqetësues fakti që vetëm një kompani, ose 90 për qind e importit, e tregtisë, realizohet vetëm përmes një kompanie. Tregu i lirë ose tregu i liberalizuar bëhet me qëllim që ma shumë kompani me hy në treg edhe me konkuru edhe me ofru çmime ma të ulëta, sepse nëpërmes konkurrencës ofrohen çmime më të ulta”.
Edhe nëse ekziston me të vërtetë vetëm një kompani e cila e ofron këtë punë, Haxhimusa shton se ajo ka një lloj fuqie monopoli, të cilën “ajo mundet me e keqpërdor”.
“Hulumtimet empirike tregojnë që kompanitë që janë veç vet në treg, ato e keqpërdorin pozitën e monopolit edhe ofrojnë edhe çmime më të larta. Prandaj edhe nëse ti ofron ankand, edhe veç një kompani konkurron aty, ajo çdo herë e vendosë çmimin më të lartin me të cilin e maksimizon fitimin”.
Problemi tjetër këtu sipas Haxhimusës, është fakti se pse KESCO nuk ka blerë energji elektrike direkt në bursë, por këtë e ka bërë me “ndërmjetësim” nga një kompani e tretë.
“Në bursë mundet secila kompani me u regjistru edhe me ble rrymë”, vlerëson Haxhimusa, i cili është njohës i mirë i funksionimit të bursave ndërkombëtare për tregtim të energjisë elektrike.
Buletini Ekonomik ka biseduar edhe me ekspertë tjerë të energjisë, ku vihet në pah edhe një problem tjetër kur ka monopol, siç është rasti me importet e vitit 2024.
“Ka situata kur tregtarët e mëdhenj “marrin me qira linjat ndërkombëtare për një kohë të caktuar. Importi nga ato linja mund të shkojë vetëm përmes tyre për një kohë të caktuar. Këtu janë ato rastet kur tregtarët aplikojnë çmime të larta për transport të energjisë”, ka thënë një nga ekspertët në kushte anonimiteti. /Buletini Ekonomik