Lajme
Momentum i ri për heqjen e vizave, përfshihet edhe presidenti i Sllovenisë
Demokracia
13:24 | 16 Qershor 2022

Share:

Presidenti slloven Borut Pahor i ka dërguar sot një letër presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, në të cilën i ka kërkuar që të liberalizohen vizat për Kosovën, si dhe që t’i jepet Bosnjë e Hercegovinës statusi i vendit kandidat, njoftoi sot Zyra e Presidentit të Sllovenisë.

Pahor beson se nevojiten hapa konkretë për ta zgjeruar Bashkimin Evropian në Ballkanin Perëndimor, raporton gazeta sllovene Delo, transmeton Paparaci.

Në një letër drejtuar Michelit, ai tha se mbështet përpjekjet për t’ua dhënë Ukrainës, Gjerogjisë dhe Moldavisë statuset e shteteve kandidate për anëtarësim në BE, por tha se është shumë i shqetësuar për situatën në Ballkanin Perëndimor.

Në letër, Pahor gjithashtu bëri thirrje për dhënien e dritës jeshile nga BE-ja për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në qershor dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, si dhe kërkon që negociatat me Serbinë dhe Malin e Zi të vazhdojnë më shpejt.

“Jam shumë i bindur se BE-ja është përgjigja për të gjitha pyetjet e Ballkanit Perëndimor”, shkruan presidenti slloven në një letër drejtuar Michelit.

Liberalizimi i vizave për Kosovën ishte temë diskutimi edhe në takimet e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani me presidentin e KE-së, Charles Michel, të mërkurën në Prishtinë.

Ndërkaq, Komisioni Evropian pritet të prezantojë të premten opinionin e tij për dhënien e statusit kandidat për në BE, për Ukrainën, si dhe Gjeorgjinë e Moldavisë.

Vendimi përfundimtar do të merret nga liderët e BE-së në një mbledhje që pritet të mbahet javën e ardhshme.

Të ngjashme