Lajme
Momenti kur Abazoviqi betohet si kryeministër i Malit të Zi
Demokracia
22:09 | 28 Prill 2022

Share:

Parlamenti i Malit të Zi ka zgjedhur politikanin shqiptar Dritan Abazoviq si kryeministër të vendit dhe miratoi qeverinë e formuar prej tij.

Pas një seance disa orëshe debati, kabineti i Abazoviq mori 45 vota pro nga 81 që janë në Parlamentin malazez, ndërsa 3 përfaqësues të socialdemokratëve ishin kundër.

Për qeverinë e Abazoviqit votuan 16 deputetë të partive që përbëjnë koalicionin qeveritar si dhe 29 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve të Milo Gjukanoviqit, i cili nuk ka përfaqësues në Qeveri.

Partitë ne pushtet janë  Lëvizja Qytetare URA, e kryeministrit Abazoviq, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP) dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.

 

Në seancë nuk morën pjesë deputetë nga Fronti Demokratik Pro-Serb dhe Demokratët, të cilët kundërshtojnë fuqishëm Qeverinë e pakicës.

Kryeministri Dritan Abazoviq tha se objektivi i Qeverisë së re është të zhbllokojë procesin e integrimit evropian të Malit të Zi dhe zgjedhjen e pozitave udhëheqëse në Gjyqësor.

Kabineti i ri ka katër zëvendëskryeministra, nga një për çdo parti të koalicionit qeveritar, 18 ministri dhe dy ministra pa portofol.

Më herët gjatë seancës parlamenti malazez zgjodhi kryetaren e tij Danijela Gjuroviq nga Partia Popullore Socialiste pro-serbe, duke mundësuar zhbllokimin e legjislativit që ishte bllokuar prej gati tre muajsh, që pas rrëzimit me mocion mosbesimi të qeverisë se ish kryeministrit Krivokapiq.

Kjo është hera e dytë në historinë e Malit të zi që një grua zgjidhet në krye të parlamentit të vendit.

Të ngjashme