Lajme
Molliqaj: Shpikja e re e Kurtit, nga njohja reciproke në mosnjohje reciproke me Serbinë
Demokracia
19:18 | 10 Mars 2023

Share:

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se do të arrijë një marrëveshje me Serbinë e cila nuk ka njohje reciproke.

Molliqaj në një postim në rrejtin social “Facebook”, ka shkruar se të gjitha debatet se do të ketë njohje, sipas tij, janë vetëm “llafe”.

“Tash mungesës së njohjes Kurti po i përgjigjet me një tjetër akrobacion gjuhësor: nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia, kemi kaluar në mosnjohje reciproke. Kemi përparuar sepse tash as ne nuk e njohim Serbinë. Ne nuk jemi në OKB dhe në shumë organizata tjera ndërkombëtare. Serbia është në të gjithat”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Molliqajt:

S’ka njohje, ka llafe

Njohjes reciproke Kurti ia pati shtuar edhe një fjalë që u pat përvetësuar prej opinionit: njohja reciproke në qendër.

Tash mungesës së njohjes Kurti po i përgjigjet me një tjetër akrobacion gjuhësor: nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia, kemi kaluar në mosnjohje reciproke. Kemi përparuar sepse tash as ne nuk e njohim Serbinë. Ne nuk jemi në OKB dhe në shumë organizata tjera ndërkombëtare. Serbia është në të gjithat.

Në Akordet e Evianit, është Franca që si kolonizatore heq dorë dhe e njeh Algjerinë, nuk flitet për njohjen e Francës nga Algjeria.

Me këtë rast, jemi që jemi, Kurti ka vendosur ta rishpikë edhe reciprocitetin. Mosnjohje reciproke – ky na qenka reciprociteti, jo ai midis shqiptarëve të Luginës dhe serbëve të Kosovës, jo ai i mallrave, tregtisë dhe politikës.

Të ngjashme