Lajme
Molliqaj: Qeveria ua vuri “lakun në fyt” grevistëve duke u bërë presion me paga
Demokracia
13:03 | 01 Tetor 2022

Share:

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka reaguar pasi që Qeveria nuk ua procedoi pagat grevistëve. E në anën tjetër, edhe Sindikata e Arsimit vendosi për pezullimin e grevës.

Molliqaj në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se greva tregoi se çfarë pushteti ka në Kosovë. Sipas tij, ndaj mësimdhënësve është bërë denigrim me fushatë sistematike.

“Presioni me paga i ka kaluar limitet. Sidomos tani, në kontekstin e votimit të mësimdhënësve për çështjen e grevës, një presion i tillë është ndërhyrje në procesin e brendshëm të sindikatës. Nga i tërë ky proces është shfaqur shumë më tepër karakteri ideologjik i partisë në pushtet, sesa që do të shihej në një rrethanë normale. Ata që kërkojnë qetësi e fitore në emër të popullit e në kurriz të punëtorëve nuk do ta gjejnë atë”, ka shkruar Molliqaj.

Postimi i plotë i Molliqajt, pa ndërhyrje:

Greva na dha leksion për pushtetin që kemi

Meqë as nuk kanë mundur t’i nënshtrojnë, as nuk kanë arritur t’i përçajnë, aq më pak t’i kontrollojnë, mjeti i vetëm që kanë në dorë është laku nën fyt, me punën e pagave. Sikur nuk ju mjaftoi denigrimi dhe fushata sistematike kundër mësimdhënësve.

Presioni me paga i ka kaluar limitet. Sidomos tani, në kontekstin e votimit të mësimdhënësve për çështjen e grevës, një presion i tillë është ndërhyrje në procesin e brendshëm të sindikatës.

Nga i tërë ky proces është shfaqur shumë më tepër karakteri ideologjik i partisë në pushtet, sesa që do të shihej në një rrethanë normale. Ata që kërkojnë qetësi e fitore në emër të popullit e në kurriz të punëtorëve nuk do ta gjejnë atë.

Të ngjashme