Ish-anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes që u emërua ambasador i Kosovës në Zagreb vitin e kaluar ishte implikuar në një skandal të madh financiar për të cilin kishte raportuar mediumi slloven Planet Tv.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob.
Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj, komentoi aferën në të cilën u përfshi Berishaj.
Molliqaj tha se qytetarët duan ta dinë se ku kanë shkuar 600 mijë euro, çfarë ka bërë Berishaj me to.
Gjithashtu, Molliqaj tha se Kurti dhe Berishaj ishin shumë të afërt, madje i njëjti bënë pjesë në 10 njerëzit më të besueshëm të kryeministrit.
“Ai ka bashkëpunu me Albinin shumë, sa kam qenë unë s’ka dhëne para për VV. E di qe është shumë, shumë, shumë, i afërt me Albin Kurtin. Bënë pjesë në 10 njerëzit qe iu ka besu më së shumta”, tha Molliqaj në Klan Kosova.
I pyetur për motivin e mbrojtjes nga Qeveria Kurti kundrejt aferës ku u përfshi Berishaj, ai tha se nuk ka motiv tjetër përpos që janë të përfshirë edhe ata në këtë aferë.
“Gjysmë milioni çka ka bo ai?, e kam njoft si profesor te filozofisë ai ish biznesmen, 1 kompani për 1 vit, gjysmë milioni…Minimalisht u dashtë me u suspendu. Nuk është pahiri… Motivi i mbrojtjes është se janë të përfshire bashkë”. vazhdoi Molliqaj.