Lajme
Molliqaj: Kurti po arreston kriminelë në veri, aq sa po i lejon bashkësia ndërkombëtare
Demokracia
18:09 | 21 Qershor 2023

Share:

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se e përdor sundimin e ligjit për të mashtruar.

Molliqaj në RTV Dukagjini, duke aluduar në Kurtin, tha se liderët që flasin për sundim të ligjit dhe e vendosin para demokracisë e barazisë, është lider autoritar.

“Liderët që flasin për sundim të ligjit, qoftë ndaj një etnie apo shumicës së popullsisë, dhe e vendosin para vlerave si drejtësinë, demokracia dhe barazia, ata janë lider autoritar. Sundimin e ligjit e marrin si rregull formal, si shprehje për të bërë diciplinim. Njëjtë liderët që vendosin në kohën kur janë në një krizë reale apo të krijuar vetë, artificale të jashtme, për të qëruar hesape të brendshme. Sundimi i ligjit i përdorur nga Kurti është mashtrim”, ka thënë ai.

Tutje, Molliqaj tha se arrestimi i disa personave që kanë ushtruar dhunë në veri, është duke u bërë me pajtimin e ndërkombëtarëve.

“Kurti, në qeverinë Kurti 1, na tregoi se si ish-ministri Veliu e paraqiti një aksion për veriun, për kontrabandë. Ai thotë se ia kam refuzuar, sepse sipas tij, numri i kriminelëve për metra katror është më i madh në Prishtinë se në veri. Edhe këta që po arrestohen janë me mbështetje ndërkombëtare, për shkak të sulmit ndaj KFOR-it dhe gazetarëve. Kurti është duke arrestuar aq sa po lejon bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Molliqaj tha se Kurti do të pajtohet ta de eskalojë situatën në veri, po ashtu, sipas tij, do ta bëjë Asociacionin.

Të ngjashme