Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka kujtuar protestën e 10 shkurtit të vitit 2007 ku mbetën të vrarë dy aktivistë të VV-së si pasojë e gjuajtjes me plumba gome nga ana e KFOR-it.
Molliqaj, që është ish-anëtar i VV-së por që u largua nga kjo parti në vitin 2018 së bashku me disa të tjerë si pasojë e pakënaqësive brenda subjektit, ka shtruar disa pyetje për pushtetin aktual lidhur me kërkesat që kishin pasur atëherë dhe çfarë përfaqësojnë si qeveri ata sot.
Molliqaj shton në statusin e tij se e kaluara nuk harrohet duke thënë se ajo kthehet në memorie çdo përvjetor dhe shton se dekoratat nuk janë mbulesa për atë se çfarë ka ndodhur.
“E shkuara nuk shkon. Ajo akumulohet përbrenda, nxjerr kryet dhe shprishë vellon e re, idilikën e harmonisë. 10 shkurti është pasqyra e pushtetit të VV-së tjetërsuar. Dekoratat, medaljet, përkujtimet janë mbulesa për këtë pasqyrë. Nuk e shohin dot veten aty. Një ditë do ta thyejnë fare këtë pasqyrë”, përfundon ai.