Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj e ka konfirmuar raportimin ekskluziv të Demokracia.com se ministrja aktuale e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte dhënë dorëheqje nga Kryesia e Vetëvendosjes për shkak të mospajtimeve për pagën.
Ai në Debat Plus e ka quajtur oportuniste ministren Haxhiu.
“Tani këto përgjimet nuk e di për çfarë arsye kanë dalë. Dikujt i tingëllon arrogancë bindja dhe qëndrimi im. Nuk ka pas aty (në Vetëvendosje) vend për neve, sepse jemi të ndryshëm. Jemi të ndryshëm, përfaqësojmë sende të ndryshme dhe kjo është parë gjithandej. Po bëhen katër vite që jemi ndarë formalisht. Kjo beteja që mund të kenë me Albulenën (Haxhiun) është e parëndësishme. Albulena ka qenë oportuniste atëherë, oportuniste është edhe tash. Ka jep dorëheqje se e kanë sulmu për çështje të pagës, sepse do aktivistë i kanë thënë ju po merrni paga të shumta e na po ecim dath, ka dhënë dorëheqje prej kryesisë, pastaj pas nja tre muajve kur ju ka dashur e kanë thirrë”, ka treguar Molliqaj.
Ai ka thënë se njerëzit e Vetëvendosjes nuk duhet të merren seriozisht.
“Mos i merrni seriozisht këta njerëz sa i përket bindjeve dhe parimeve”, tha Molliqaj.
Demokracia.com sot ka publikuar disa audio-incizime të mbledhjeve të fundit të kryesisë para ndarjes, ku figurat që pritej të largoheshin kishin shprehur pakënaqësitë e tyre.
Emrat e të dorëhequrve diheshin, Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Dardan Molliqaj, Shqipe Pantina e disa të tjerë, që më pas kaluan në Partinë Socialdemokrate.
Në këto audio-incizime përmendet edhe një dorëheqje e mëhershme e një prej figurave kryesore në LVV, e cila tani është Ministre e Drejtësisë. Dorëheqjen nga LVV-ja e pranon edhe vetë Albulena Haxhiu në këtë audio-incizim dhe konfirmon se ky veprim i saj pas një vendimi në kryesi për çështjen e pagave.
“Po më vjen mirë e para që po mbahet një mbledhje e përbashkët. Për LVV-në as personalisht nuk është e mirë kjo që po e kalojmë. Së pari, nuk i di detajet. Nuk jam munduar t’i di. Nuk është që më kanë lënë përshtypje. Problemin e brendshëm të LVV-së e kam kuptuar gjatë vitit të kaluar edhe sigurisht që pjesë-pjesë… Sot i kemi tri komuna, por nëse do të pyetesha, ma shumë kisha pasur dëshirë të kemi një organizatë të fuqishme sesa këto fitore. Kjo nuk është adresuar atë kohë, pasi ka pasur një marrëveshje të gjerë që këto probleme të adresohen pas zgjedhjeve të qershorit. Në shtator unë kam dhënë dorëheqje, nuk kam qenë pjesë e këtyre skenarëve. Dorëheqjet e fundit janë të orkestruara, po bëhen me plan, me tendencën për të dëmtuar LVV-në. Kjo është e qartë. Ne budallenj nuk jemi. Mënyra sesi çdo ditë shkruhen dorëheqjet, po ashtu nuk pajtohem me disa prej tyre. Momentin që ka dhënë dorëheqje Visari, nënkryetari automatikisht duhet me e pa problem dhe ta thërras mbledhjen e kryesisë. Kjo nuk ka ndodhë. Pas përpjekjes së sekretarit me e kontaktu Dardanin, nuk ka pasur kontakt me të… Dorëheqja ime në shtator nuk ka qenë publike, i kam treguar vetëm kryesisë, as arsyetimin nuk e kam shkruar aty, sepse nuk kam dashur që diçka të dalë jashtë. Nuk kam dashur që çështjet e brendshme të dalin jashtë, ajo ka ardhur pas një vendimi në kryesi për çështjen e pagave”, dëgjohet duke thënë Albulena Haxhiu, e cila atë kohë ishte deputete.
Mirëpo, këtu kishte ndërhyrë Glauk Konjufca, i cili i kishte thënë Haxhiut të mos flasë në atë mbledhje për çështje të tilla, pasi po diskutonin për diçka tjetër. /Demokracia.com/