Lajme
Mohimi i çdo progresi të pasluftës çoi Kurtin e ish-këshilltarin e tij drejt një shikimi ndryshe të ish-Jugosllavisë
Demokracia
12:48 | 19 Korrik 2023

Share:

Pretendimi i Albin Kurtit se për 20 vite nuk është arritur asgjë në Kosovën e pasluftës është ngulitur thellë në mendjen e mbështetësve të tij. Dhe kjo, duket se po ofron pasoja tjera në debatin publik siç është edhe krahasimi i mbrëmshëm me “Kasapin e Ballkanit” Sllobodan Millosheviq.

Mohimi i të gjitha punëve të qeverive të kaluara po bëhet nganjëherë duke lavdëruar kohen e ish-Jugosllavisë. Sipas tyre, në atë kohë janë bërë punë më të mira dhe është qeverisur më mirë Kosova.

Vet kryeministri Albin Kurti ka qenë ai që para disa muajve ka thënë praktikisht se ish-Jugosllavia shënon vitet e shkëlqyera të industrializimit të Kosovës, duke harruar përndjekjet e shqiptarëve nga regjimi jugosllav.

Edhe më tej, ka shkuar ish-këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi.

Ky i fundit ka lavdëruar kohen e Sllobodan Millosheviqt, në të cilën janë bërë krime, dhunime, spastrim etnik dhe masakra të papara ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Gjatë emisionit “Pressing”, ai ka thënë më mirë është qeverisur Kosova gjatë kohës së Milloshqevit dhe nga qeveritë e pasluftës.

“Çka ka ndodhë? E ka pru në krye të LDK-së një person i cili për krejt dekadën e kalume nuk i ka shërby asnjëherë atij regjimi kriminal që e ka sundu Kosovën në mënyrë barbare – bile bile ka momente kur edhe ma barbare se sa regjimi kriminal okupues i viteve të ’90-a.” – ka thënë Gashi.

Ai nuk ka treguar se në cilat momente saktësisht këto qeveri ishin “më barbare” se sa regjimi i Millosheviqit.

Kjo nuk është hera e parë që Gashi bën deklarime të pamatura në raport me Qeveritë e kaluara dhe UÇK-së. Në vitin 2020 sa ishte këshilltar i kryeministrit Albin Kurti në Qeverinë Kurti I, në një emision televiziv kishte thënë se UÇK-ja ka kryer krime.

Kjo kishte nxitur reagime të shumta, të cilat e kishin shtyrë kryeministrin Kurti ta shkarkon nga pozita.

Më pas, Gashi kishte mohuar se ka thënë që UÇK-ja ka kryer krime.

“Unë nuk kam thënë që UÇK-ja ka kryer krime, por INDIVIDË të UÇK-së (keqpërdorues të uniformës së UÇK-së), qofshin edhe të lartë në hierarkinë e saj (ky nuk është mendim imi, por këto janë vendime të gjykatave të ICTY-së, UNMIK-ut, EULEX-it, si dhe mendime të raporteve të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si Human Rights Ëatch e Amnesty International)”, kishte shkruar Gashi në profilin e tij në “Facebook”.

Edhe Kurti kishte lavdëruar në një mënyrë ish-Jugosllavinë

Pak më i but në këtë aspekt ishte shprehur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Derisa kishte përkujtuar vdekjen e ish-drejtorit të “Trepçës”, Nazmi Mikullovci, ai kishte lavdëruar kohen e ish-Jugosllavisë.

Në telegramin e ngushëllimit për Mikullovcin, kryeministri Kurti kishte vlerësuar lartë kohen e ish-Jugosllavisë.

Ai ka bërë me dije se ato ishin vite të shkëlqyera të industrializimit të Kosovës, duke harruar përndjekjet e shqiptarëve nga regjimi jugosllav.

“Nazmi Mikullovci është përfaqësuesi i një gjenerate të jashtëzakonshme profesionistësh që projektuan dhe realizuan në masë të gjerë vetëqëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës. Kushdo e njeh atë si Drejtorin e Trepçës në vitet e shkëlqyera të industrializimit të vendit. Ndërsa shumë nga ne si orientuesin e përpiktë se si të optimalizohen mundësitë vendore në industri dhe ekonomi. Për mua ka qenë më shumë se sa një bashkëpunëtor në më shumë se sa një dekadë. Nazmi Mikullovci është mentori i dijes mbi Kosovën dhe ekonominë e saj,” kishte shkruar Kurti.

Në Qeverinë Kurti dhe në Lëvizjen Vetëvendosje, që udhëhiqet nga vetë kryeministri, janë së paku 4-5 persona që shprehin nostalgji për Jugosllavinë.

Ylli i të gjithë këtyre personave, është Veton Surroi, i cili është këshilltar i jashtëm e kryeministri Kurti.

Surroi, i cili është djalë i ish-djali i ambasadorit të Titos, nëpërmjet shtëpisë botuese të tij, ka botuar një libër të titulluar “Fadil Hoxha në vetën e parë”, e që përgjithësisht është një përpjekje për të pastruar figurën e komunistit Hoxha.

Të afërt me Kurtin në Qeveri janë edhe disa pasardhës të familjes të ish-sistemit, përfshirë Agon Hamzën, nipi i ish-ministrit të rendit në kohën e Jugosllavisë, Xhevdet Hamza; dhe Erzen Vraniqi, djali i Hamdi Vraniqit, personit që “lëshoi lejën” për ndërtimin e kishës ortodokse në oborr të Universitetit të Prishtinës./nacionale/

Të ngjashme