Lajme
Vendimi i Kurtit për moslejimin e grumbullimeve, Nushi i PSD-së: S’mund ta ndalë pakënaqësinë qytetare
Demokracia
22:32 | 21 Janar 2022

Share:

Pakënaqësitë kundër rritjes së çmimit të rrymës kanë bërë që të fillojnë organizimet për protesta.

Partia Socialdemokrate (PSD) tashmë ka konfirmuar se do të organizojë protestë më 29 janar kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, shkruan Demokracia.com.

Zyrtari i PSD-së, Nol Nushi, ka thënë për Demokracia.com se Qeveria po tregohet shumë jokompetente edhe në menaxhimin e pandemisë.

Qeveria po tregohet shumë jokompetente në menaxhim të pandemisë. Po kam dëshirë të besoj që kjo s’ka të bëjë me protestën, por edhe sikur të ketë, Kurti nuk mund të ndalë pakënaqësinë qytetare me kurrfarë vendimi”, ka deklaruar Nushi.

Kjo deklaratë e Nushit vjen pas raportimit të Demokracia.com se për ta kontrolluar më lehtë revoltimin e qytetarëve, kryeministri Albin Kurti po tregohet tinëzar me masat e reja antiCovid, duke tentuar të ndalojë grumbullimet me mbi 50 persona.

Kurti tregohet tinëzar para protestës kundër shtrenjtimit të rrymës, ndalon grumbullimet me mbi 50 persona

Nushi ka shtuar se shumë shpejtë do u bëjnë thirrje edhe partive opozitare që t’u bashkohen në këtë protestë.

Shumë shpejtë do të fillojmë me të gjithë ata që janë kundër këtij vendimi. Partitë, OJQ’të, persona publikë e aktivistë të ndryshëm”, ka shtuar Nushi për Demokracia.com.

Ai ka thënë se protesta është e hapur dhe ata janë shumë të interesuar që të bashkëpunojmë me të gjithë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar sonte masat e reja anti-Covid, të cilat do të hyjnë në fuqi nga dita e nesërme deri më 4 shkurt 2021.

Masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës përfshijnë plot 80 pika, por një prej tyre tërheq më shumë vëmendje. Bëhet fjalë për pikën 29, e cila ndalon grumbullimet në ambiente të jashtme për mbi 50 persona.

“Lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore në ambiente të jashtme deri në 50 persona. Organizatori obligohet të sigurojë mbajtjen e distancës fizike prej 1 metër në mes të personave dhe paraqitjen e dëshmive të evidentuar në pikat 26.1 dhe 26.2 përveç pjesëmarrësve nën moshën 12 vjeçare”, thuhet në këtë pikë të vendimit të Qeverisë. /Demokracia.com/

Të ngjashme