Ndeshja vendimtare e “Play-Out”-it mes Vushtrrisë dhe Llapit, pritet ta ndez stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nesër, me fillim nga ora 16:00.
Kjo përballje do të përcaktojë se cila prej këtyre dy skuadrave do të jetë pjesë e edicionit të ardhshëm të Superligës së Kosovës në futboll.
Një ditë para kësaj sfide tejet të rëndësishme, figura të njohura publike dhe sportive kanë dalë në mbështetje të Vushtrrisë.
Ndër ta janë Shefki Kuqi, Milot Rashica, Besnik Kollari, së bashku me personalitete të tjera vushtrriase, të cilët kanë shprehur përkrahjen për skuadrën e tyre në këtë “finale”.
Vushtrria vjen në këtë duel pas fitores ndaj Lirisë në ndeshjen e barazhit të Ligës së Parë, ndërsa Llapi e mbylli sezonin në Superligë në pozitën e tetë, duke u detyruar të luajë në “Play-Out” për të siguruar mbijetesën.
Ky ballafaqim që pritet të jetë dramatik dhe me shumë emocione, do të transmetohet në platformën kryesore televizive shqiptare, Artmotion, në kanalin Sport1, me komentator Lirim Peci. /Klankosova.tv