Lajme
Mobilizim apo kafe e rastësishme mes Abazit e Krasniqi, dy anëtarëve të LVV-së që kritikojnë Qeverinë Kurti?
Demokracia
13:56 | 26 Shkurt 2023

Share:

Në një kafe në lagjen “Bregu i Diellit”, sot janë takuar dy anëtarët e VV-së që publikisht kanë shprehur pakënaqësinë me Qeverinë Kurti.

I zëshmi Haki Abazi dhe Dardan Krasniqi, kunati i Albulena Haxhiut.
Abazi kohëve të fundit është bërë një prej kritikëve më të mëdhenj të Kurtit ndërsa Krasniqi ka qenë i tillë që prej marrjes së pushtetit nga partia e tij, para dy viteve.

Deputeti Haki Abazi dhe Dardan Krasniqi
Krisja e raporteve Kurti-Abazi u konfirmua në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021. Pasi VV mori mandatin e plotë për të qeverisur, Kurti emëroi zv.kryeministër, Besnik Bislimin duke lënë Abazin anash.

Por, pakënaqësitë publike të deputetit Abazi nisën muaj më parë.

Deputeti i partisë në pushtet, kishte kritikuar ekzekutivin në disa fusha.

Abazi u tregua kritik për Qeverinë edhe për mospasjen e një strategjie për çështjen e energjisë. Ai ishte shprehur se vazhdon e njëjta situatë sikur në vitet e kaluara kur në pushtet kanë qenë të tjerët.

Javën që po lëmë pas, Haki Abazi u zëvendësua me deputeten Arbëreshë Kryeziu në pozitën e kryetarit të Komisonit për Punë të Jashtme dhe Diasporë. Ndërsa, në Komisionin për Stabilizim-Asociim, ai u zëvendësua me deputetin Dimal Basha.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, përmes një konference për media bëri të ditur se urdhëri për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme është bërë nga Albin Kurti.

Sipas tij, kryeministri Kurti është në kërkim të personave që duan ta rrëzojnë qeverinë.

Ndër të tjerash, Haki Abazi, ka komentuar edhe lidhur me zhdukjen e mostrave për rastin e Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Ai ka theksuar se vetë nuk i ka parë këto video, por që persona të caktuar i kanë treguar që ka kamera që regjistrojnë 24 orë.

Derisa, pas intervistimit nga Prokuroria Speciale, për zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit, Abazi është shprehur se “Kur palaçoja hyn në pallat mbretëror, nuk bëhet mbret, vetëm mbretëria bëhet cirkuz”, duke nënkuptuar kryeministrin Kurti.

Të ngjashme