Lajme
Mjetet nga Trusti | Njohësi i ekonomisë skeptik se Qeveria Kurti do të lejojë tërheqje të reja
Demokracia
14:21 | 23 Shkurt 2022
Ilustrim

Share:

Tërheqja e mundshme e mjeteve financiare nga Fondi i Kursimeve Pensionale (Trusti Pensional), ditëve të fundit është ngritur përsëri si çështje. Ishte deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, i cili deklaroi se me kërkesë të qytetarëve ka kërkuar që të riprocedohet në Kuvend tërheqja nga trusti pensional dhe atë deri në 30 për qind.

Ky propozim i deputetit Haxhiu nuk është përkrahur nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti i LVV-së, Armend Muja, ka thënë se ky propozim është vetëm propagandë e PDK-së.

Po ashtu, kundër tërheqjes së kursimeve nga Trusti ishte edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti. Ndonëse një vendim i tillë ishte miratuar kur vetë Hoti ishte në qeveri, sot ai thotë se nuk është e nevojshme që ky propozim për tërheqje të mjeteve nga Trusti të shkojë në Kuvend, shkruan Demokracia.com.

Ndërsa, partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë (AAK), është pro tërheqjes së mjeteve financiare nga Fondi i Kursimeve Pensionale. Kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka thënë për Demokracia.com se qytetarët në Kosovë janë në një situatë tejet të vështirë ekonomike e sociale, prandaj duhet të lejohen të tërheqin një pjesë të mjeteve nga Trusti.

“Shtrenjtimi i artikujve elementarë për jetesë, ka shtyrë shumë kategori që të përballen gjithnjë e më shpesh me mbijetesën ekonomike. Prandaj e konsideroj si hap të parë urgjent, aprovimin e një vendimi që lejon qytetarët të tërheqin një përqindje të caktuar të mjeteve nga trusti pensional”, ka thënë Haradinaj.

Nga ana tjetër, profesori i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, thotë për Demokracia.com se tërheqja e mjeteve nga Trusti duhet t’ju lejohet qytetarëve.

Sipas tij, kjo do të kishte ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve, pasi që ata nuk janë duke marrë asnjë ndihmesë nga shteti.

“Që nga fillimi kam qenë pro tërheqjes për dy arsye, sepse janë kursimet e tyre, si dhe do e lehtësonte sadopak jetën e tyre. Ndërsa, qeveria dhe politika në vend nuk ofrojnë alternativë të përkrahjes, por vetëm shprehen që nuk bënë me arsyetimin që po rrezikohet likuiditeti financiar si dhe kursimet e tyre”, ka thënë Kadriaj për Demokracia.com.

Ai shtoi më tej se qytetari po e kërkon mundin e vet të kursyer dhe nuk po kërkon që të rëndohet buxheti i Republikës së Kosovës.

Kadriaj e sheh si të habitshme edhe deklaratën e Avdullah Hotit.

“Është e habitshme sesi ish-kryeministri Hoti shprehet kundër tërheqjes së trustit pensional me arsyetimin që ekonomia po funksionon shumë mirë, ndërsa nga qeveria Kurti nuk pres që do jetë në përkrahje të qytetarit për faktin që gjithnjë ka qenë kundër tërheqjes nga qytetarët me arsyetimin që po rrezikohen kursimet e tyre”, tha ai për Demokracia.com.

Kadriaj kritikoi edhe Qeverinë Kurti, duke thënë se qytetarit çdo ditë është duke iu rënduar jeta.

“Pra, zgjidhje nuk ofrojnë për ta bërë më të lehtë jetën e qytetarëve, ndërsa shprehen që Kosova po funksion shumë mirë. Po, e vërtetë që funksionon shumë mirë, por në favor të beneficioneve të politikës, por jo për qytetarin. Ndërsa, për qytetarin çdo ditë e më shumë po rendohet jeta dhe si rezultat i kësaj gjendje janë mbushur me aplikacione ambasadat e perëndimit nga vizakërkuesit dhe punëkërkuesit kosovarë padyshim për një jetë më të mirë se në Kosovë. Sa për kujtesë, drejtori i Trustit gëzon pagën me të lartë në Kosovë nga kursimet e qytetarëve të Kosovës”, tregon Kadriaj.

Ditë më parë, ministri Hekuran Murati pretendonte se Kosova krahasohet edhe me Francën e Austrinë për mbështetjen ekonomike që ia ka dhënë popullit.

“Në total, si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve kemi ndarë rreth 190 milionë euro, vetëm në 4 muajt e fundit. Dhe do të vazhdojmë mbështetjen ndaj qytetarëve, sepse kjo qeveri është në anën e qytetarëve. Madje, me nivelin e mbështetjes mund të krahasohemi edhe me shtete shumë më të forta ekonomikisht si Franca e Austria”, kishte thënë Murati.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, tha se kjo qeveri është duke folur për rritje ekonomike, mirëpo sipas tij, këtë nuk është duke e vërejtur qytetari.

“Nëse politika në vend është kundër, lë të na tregojnë një ndihmesë që do e lehtësonte jetën e qytetarit e për kujtesë të ish qeverisë Hoti, aq kanë qenë të ngadalshme dhe të vobekta ato pagesa në përkrahje të qytetarëve dhe bizneseve, saqë nëse qytetarët nuk do kishin rezerva, do vdisnin nëntë herë siç shprehet populli. Ndërsa, qeveria Kurti flet me gojën plot për suksese dhe rritje ekonomik, por mirëqenia  ekonomike e qytetarit çdo ditë rendohet”, shtoi më tutje Kadriaj.

Sipas tij, qytetarët duhet që përmes protestave t’iu përgjigjen veprimeve të Qeverisë.

“Ky avaz i politikes në vend nuk do ndalet derisa kemi qytetarë të heshtur, ku çdo veprim të politikës në vend e pranon sikurse të ishte shpallje nga qielli, derisa nuk ka reflektim nga qytetarët me ngritje të zërit përmes protestës masive për çdo veprim që ju servohet nga politika në vend. Sa për nder dhe njerëzi të politikës, politika në vend nuk e ka problem për faktin që këto dy kode nuk i njeh ky nivel i politikës”, përfundoi ai.

Ndryshe, qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, gjatë kohës kur ishte në krye të vendit, kishte ndërmarrë disa masa lehtësuese në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike. Këtu bënte pjesë edhe tërheqja e 10 përqindëshit nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Nga Trusti në atë kohë, 427 mijë e 371 qytetarë të Kosovës kanë bërë tërheqjen e shumave të ndryshme nga Fondi i Kursimeve Pensionale i tyre dhe shuma totale e tërheqjes ishte mbi 197 milionë euro./Demokracia.com/

Të ngjashme