Klubi i mirënjohur kosovar, Ferizaj është duke u përballur me një situatë të rënduar financiare.
Ndonëse qyteti i Ferizajt njihet me shumë biznesmenë të fuqishëm, ata nuk po i dalin në ndihmë skuadrës ferizajase, shkruan Demokracia.com.
Futbollistët e Ferizajt nuk kanë marrë paga që disa muaj, derisa ditë më parë klubi paralajmëroi edhe mundësinë e largimit nga gara.
Drejtori i klubit ferizajas, Nadir Haxhimusa në një bisedë me Demokracia.com ka bërë të ditur se interesimi për ta ndihmuar Ferizajn në këtë moment nga donatorët është “zero”.
“Kemi probleme të mëdha me financat, nuk kemi kryetar dhe kryesi. Interesimi është zero nga donatorët për të na ndihmuar”, ka thënë Nadir Haxhimusa, duke vazhduar:
“Me shtabin teknik kemi arritur të krijojmë një skuadër të mirë dhe të re, por problem është edhe aspekti financiar”.
Për fund, ai thotë se nëse vazhdon kjo gjendje, skuadra mund të tërhiqet nga garat, derisa thotë se futbollistët janë në vështirësi financiare.
“Nëse vazhdon kjo situatë, mund të largohemi ng agarat. Edhe futbollistët janë në vështirësi pasi kanë nevojat e tyre”, përfundoi të enjten Haxhimusa.
Përkundër problemeve, Ferizaj që garon në Ligën e Parë, pas 16 javësh, ndodhet në vendin e katërt në grupin B me 22 pikë të tubuara. /Demokracia.com