Lajme
Misteri i vrasjes së rreshterit Muhamed Lika, thellohen hetimet
Demokracia
21:55 | 25 Prill 2025

Share:

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Ferizajt dhe Prokurorinë Speciale, ka zhvilluar një operacion të gjerë hetimor në orët e para të mëngjesit të sotëm në rajonin e Ferizajt, në lidhje me vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.

Ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, ka konfirmuar se operacioni lidhet me thellimin e hetimeve dhe mbledhjen e provave të reja që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të kësaj vepre penale.

“Sipas hetimeve, provave dhe fakteve të deritanishme, ka gjasa që operacioni të ketë në fokus identifikimin e ndihmësve potencialë në kryerjen e vrasjes. Forma e kryerjes dhe rrethanat e rastit tregojnë se mes të përfshirëve mund të ketë edhe persona me të kaluar kriminale”, tha Morina.

Sipas tij, në këtë fazë po kërkohet të argumentohet mënyra e kryerjes, bashkëpunimi mes personave të dyshuar dhe të përjashtohet çdo mundësi për spekulime publike pa prova të plota.

Në një lidhje direkte në RTV Dukagjini, ish-hetuesi i Policisë, Halit Shaljani, theksoi se hetimet kanë për qëllim mbledhjen e provave për të mbështetur akuzën në këtë rast të rëndë.

“Duhet të kemi besim në institucionet, por njëkohësisht duhet të shmangim gjykimin publik. Disa të arrestuar pretendojnë të kenë alibi – këtë do ta vërtetojnë hetimet. Deri atëherë, janë vetëm të dyshuar”, u shpreh ai.

Shaljani shtoi se motivi i krimit është ende nën hetim, por përjashtoi çdo element të ekstremizmit si shtysë për vrasjen. “Fatmirësisht, kemi njësi të specializuara brenda Policisë, përfshirë edhe njësinë antiterrorizëm. Deri më tani nuk ka indikacione që kjo vrasje lidhet me ekstremizëm”, tha ai.

Morina theksoi nevojën për përfshirjen e komunitetit në parandalimin e fenomeneve të tilla.

“Jo vetëm policia, por edhe shkollat, institucionet shëndetësore dhe vetë komuniteti duhet të jenë të angazhuara në edukim dhe parandalim”, theksoi Morina.

Hetimet për vrasjen e rreshterit Lika mbeten ende të hapura, ndërkohë që shtatë persona janë arrestuar më herët në lidhje me këtë rast. Autoritetet kanë paralajmëruar se operacionet e tilla do të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Të ngjashme