Trajneri i mirënjohur Sami Sermaxhaj ka një mision bukur të vështirë sivjet. Ai e ka marrë drejtimin e skuadrës së Drenicës në një situatë aspak të mira, shkruan Demokracia.com.
Rezultatet mungonin te kuqezinjtë dhe sigurisht kur mungojnë rezultatet edhe motivi edhe atmosfera në ekip nis të zbehet. Kryesia e klubit reagoi duke e larguar trajneri Bledar Devolli ndërsa ekipin ia besoi Sermaxhajt.
Tekniku gjilanas me përvojën edhe njohurin e mirë që ka për futbollin kosovar besohet se do t’ia arrijë qëllimit dhe skuadrën kuqezi ta shpëtojë nga rënia.
Gjithsesi, ai e ka parasysh punën e vështirë që e ka pranuar por nuk i frikësohet sfidave dhe beson se do t’ia dalë.
Sermaxhaj në një bisedë për Demokracia.com, ka thënë se kohën e pauzës së kampionatit, për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, e ka shfrytëzuar për ta njohur më mirë ekipin dhe për t’i zbuluar ato detajet se ku po çalon skuadra.
“Është e vërtetë që jemi në një situatë mjaft të vështirë dhe jemi të vetëdijshëm për këtë, por ne do të bëjmë punën maksimale dhe se bashku me gjithë të tjerët që janë pjesë e klubit presim ta arrijmë objektivin që e kemi- mbijetesën. Jemi optimist për këtë dhe po punojmë shumë. Edhe këtë kohen e pauzës jemi munduar ta shfrytëzojmë sa më mirë për ta njohur ekipin dhe besoj se do t’ja dalim”, ka thënë Sermaxhaj, skuadra e së cilit nesër e ka një duel shumë të vështirë ku ndeshet ndoshta me rivalin direkt për mbijetesë Trepçën ’89.
Drenica assesi nuk guxon ta humbas këtë sfidë, ndryshe mbetja në elitë do të vihet shumë seriozisht pikëpyetje.
“Është një ndeshje e vështirë ndaj një konkurrenti në luftë për mbijetesë. Ne gjatë kësaj kohe jemi munduar t’i marrim të gjitha masat për ta përgatitur sa më mirë ndeshjen dhe besoj se do t’ja dalim. Gjithsesi është një lojë shumë e vështirë por duhet ta marrim maksimumin”, ka përfunduar Sermaxhaj.
Ndeshja Drenica – Trepça ’89 zhvillohet nesër nga ora 15:00 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
Drenica momentalisht është në pozitën e parafundit në tabelë me 27 pikë, aq sa ka edhe Arbëria që është një pozitë më lartë. /Demokracia.com