Lajme
“Misioni i pamundur” i Izraelit me pushtimin e Gazës
Demokracia
23:08 | 28 Tetor 2023

Share:

Krahu i armatosur i Hamasit, brigadat e Izzedine al-Qassam, do të jenë të përgatitura për ofensivën e Izraelit. Pajisjet shpërthyese janë vendosur, kurthet janë planifikuar. Mund të përdorin edhe rrjetin famëkeq të tuneleve për t’i sulmuar forcat izraelite

Liderët e Izraelit kanë deklaruar se Hamasi do të zhduket nga faqja e dheut dhe Gaza kurrë më nuk do të kthehet ashtu siç ishte.

“Çdo anëtar i Hamasit është njeri i vdekur”, ka thënë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pasi luftëtarët e grupit militant vranë më shumë se 1 mijë e 400 persona në sulmin brutal ndaj Izraelit. Ai më vonë ka premtuar se makineria terroriste e Hamasit dhe struktura politike e tij do të shpërbëhen.

Izraeli ka deklaruar se është duke i zgjeruar operacionet tokësore në Gaza dhe pritet të nisë pushtimin tokësor për t’i arritur qëllimet e veta. Sapo të mposhtet Hamasi, qëllimi i Izraelit është që të shkëputet krejtësisht nga Gaza. Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka folur për një regjim të ri sigurie në Gaza, por që izraelitët nuk do të jenë përgjegjës për jetën e përditshme atje.

Qëllimi i operacionit “Shpatat e Hekurta” duket më ambicioz se çfarë ka planifikuar ushtria në Gaza më parë dhe mund të zgjasë me muaj. Mirëpo a janë realiste këto qëllime dhe se si do të mund komandantët t’i përmbushin këto qëllime?

Hyrja në Rripin e Gazës do të kërkonte luftimet urbane shtëpi me shtëpi dhe bart rrezik të madh për popullsinë civile prej më shumë se 2 milionësh. Zyrtarët në Gazën e drejtuar nga Hamasi kanë deklaruar se më shumë se 7 mijë palestinezë janë vrarë dhe mijëra të tjerë kanë ikur nga shtëpitë e tyre.

Forcat izraelite të Mbrojtjes (IDF) janë ngarkuar edhe me detyrën e shpëtimit të më shumë se 200 pengjeve që po mbahen në lokacione të panjohura nëpër Gazë.

“Nuk mendoj se Izraeli mund ta shuajë çdo anëtar të Hamasit, sepse është ide e islamit ekstremist”, thotë analisti ushtarak Amir Baron Shalom nga Army Radio e Izraelit. “Mirëpo mund ta dobësosh aq sa të mundesh, me qëllim që të mos ketë kapacitete operacionale”.

Dobësimi mund të jetë objektiv më realist, sesa shpërbërja e tërësishme.

Izraeli ka luftuar në katër luftëra me Hamasin dhe çdo përpjekje për t’i ndalur sulmet me raketa ka dështuar. Zëdhënësi i IDF-së thotë se qëllimi kryesor është që Hamasi më nuk do të ketë kapacitete ushtarake që do të kërcënonin apo vrisnin civilët izraelitë.

Michael Milstein, shef i forumit të studimeve palestineze në universitetin e Tel-Avivit, pajtohet se shkatërrimi i Hamasit do të ishte shumë i komplikuar. Thotë se do të ishte shumë pretenduese të besosh se mund të shkulësh idenë që përfaqëson Hamasi – degë e Vëllazërisë Myslimane që ka frymëzuar lëvizje islamike përreth botës.

Përveç 25 mijë ushtarëve, që përbëjnë krahun ushtarak të Hamasit, janë diku edhe 90 mijë anëtarë të tjerë që janë pjesë e infrastrukturës së saj, ose Dawas, thotë ai.

Si përfundim, ministri i Mbrojtjes thotë se 75 vjetët e ardhshëm të ekzistencës së Izraelit varen krejtësisht nga rezultati i kësaj lufte.

Rreziku i pushtimit tokësor

Operacioni ushtarak është në mëshirën e disa faktorëve që mund të dalin binarësh.

Krahu i armatosur i Hamasit, brigadat e Izzedine al-Qassam, do të jenë të përgatitura për ofensivën e Izraelit. Pajisjet shpërthyese janë vendosur, kurthet janë planifikuar. Mund të përdorin edhe rrjetin famëkeq të tuneleve për të sulmuar forcat izraelite.

Në vitin 2014, batalionet e këmbësorisë së Izraelit pësuan fort nga minat kundër tankeve, snajperët dhe kurthet, teksa qindra civilë vdiqën nga luftimet në lagjet veriore të Gazës.

Kjo është njëra arsye se përse Izraeli ka kërkuar evakuimin e gjysmës së veriut të Rripit të Gazës deri në jug të lumit Wadi Gaza.

Izraelitët janë paralajmëruar që të përgatiten për luftë më të gjatë. Rreth 360 mijë rezervistë janë aktivizuar.

Pyetja është se sa gjatë Izraeli do të mund të vazhdojë fushatën teksa po rritet presioni ndërkombëtar për armëpushim, me numrin e madh të të vrarëve, mungesën e ujit, energjisë elektrike dhe derivateve të naftës.

“Qeveria dhe ushtria e ndiejnë se kanë përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar – së paku të liderëve perëndimorë. Filozofia është ‘le të mobilizohemi, kemi goxha kohë’”, thotë Yossi Melman, një prej gazetarëve më të njohur të sigurisë dhe inteligjencës në Izrael.

Mirëpo herët a vonë, ai beson se aleatët e Izraelit do të ndërhyjnë nëse shohin pamjet e palestinezëve duke vdekur nga uria. Presioni do të ngrihet nëse vazhdon rritja e numrit të civilëve të vrarë.

“Është e komplikuar, sepse duhet kohë dhe administrata amerikane nuk do të lejojë që të qëndroni në Gaza për një apo dy vjet”, thotë Milstein.

Shpëtimi i pengjeve

Shumë prej pengjeve janë izraelitë, por mes tyre ka numër të madh shtetasish të huaj dhe me shtetësi të dyfishtë, që do të thotë se disa qeveri të tjera – përfshirë SHBA-në, Francën dhe Britaninë e Madhe – kanë rol në këtë operacion dhe lirimin e tyre të sigurt.

Specialisti strategjik francez, koloneli Michel Goya thotë se IDF-ja kishte zgjidhje të drejtpërdrejtë, ose t’u kursente jetën pengjeve, ose të hynte për t’i “bërë Hamasit sa më shumë dëme”.

Thirrjet dëshpëruese nga familjet e atyre që janë marrë peng nga Hamasi po rrisin presionin ndaj liderëve të Izraelit.

Në vitin 2011, Izraeli shkëmbeu më shumë se 1 mijë të burgosur palestinezë për ushtarin, Gilad Shalit, i mbajtur nga Hamasi për pesë vjet.

Por Izraeli do të mendojë dy herë përpara lirimit të të burgosurve, sepse një nga njerëzit e liruar në atë shkëmbim ishte Yahya Sinwar, i cili që atëherë është bërë udhëheqësi politik i Hamasit në Gaza.

Reagimi i shteteve përreth

Ajo që mund të ndikojë gjithashtu në kohëzgjatjen dhe rezultatin e ofensivës tokësore është se si reagojnë fqinjët e Izraelit.

Kalimi kufitar i Egjiptit Rafah me Gazën është bërë pikë qendrore humanitare, me vetëm sasi të kufizuara ndihme që hyjnë në Gaza. Shtetasit e huaj dhe palestinezët me pasaporta të huaja kanë pritur të largohen.

“Sa më shumë të vuajnë palestinezët në Gaza pas fushatës ushtarake izraelite, aq më me shumë presion do të përballet Egjipti, për t’u dukur sikur nuk ua ka kthyer shpinën palestinezëve”, thotë Ofir Winter i Institutit të Studimeve të Sigurisë Kombëtare të Izraelit.

Por kjo nuk do të shtrihet në Kajro duke lejuar kalim masiv të palestinezëve në veri të Sinait. Presidenti Abdul Fattah al-Sisi ka paralajmëruar se çdo përpjekje për të zhvendosur banorët e Gazës në gadishullin Sinai do t’i shtyjë egjiptianët të “dalin dhe të protestojnë me miliona të tyre”.

Mbreti Abdullah i Jordanisë ka folur gjithashtu për “vijën e kuqe” për çdo përpjekje të mundshme për të larguar palestinezët nga Gaza: “Nuk ka refugjatë në Jordani, nuk ka refugjatë në Egjipt”, paralajmëroi ai.

Kufiri verior i Izraelit me Libanin është gjithashtu nën trysni.

Tashmë ka pasur disa sulme vdekjeprurëse ndërkufitare që përfshijnë grupin militant islamik Hezbollah, por megjithëse komunitetet nga të dyja palët janë evakuuar, deri më tani dhuna nuk përbën front të ri kundër Izraelit.

Irani, sponsori kryesor i Hezbollahut, tashmë po kërcënon të nisë “fronte të reja” kundër Izraelit. Ata ishin në fokus të paralajmërimit të presidentit amerikan, Joe Biden, kur tha: “Çdo vendi, çdo organizate, kujtdo që mendon të përfitojë nga kjo situatë, unë kam një fjalë: Mos e bëni”

Dy aeroplanmbajtëse amerikane, USS Gerald Ford dhe USS Eisenhower, janë dërguar në lindje të Mesdheut për të theksuar këtë mesazh dhe 2,000 trupa amerikane janë vendosur në gatishmëri për t’iu përgjigjur ngjarjeve që po zhvillohen.

Cili është fundi i Izraelit për Gazën?

Nëse Hamasi do të dobësohej ndjeshëm, pyetja është se çfarë do ta zëvendësonte?

Izraeli tërhoqi ushtrinë dhe mijëra kolonë nga Rripi i Gazës në vitin 2005 dhe nuk do të ketë ndërmend të kthehet si forcë pushtuese. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, thotë se “do të ishte gabim i madh”.

Një vakum pushteti do të krijonte gjithashtu rreziqe shumë serioze dhe Milstein paralajmëron se rreziku i zgjidhjes së problemit është në gjetjen e 10 të rejave.

Ofir Winter beson se ndryshimi në pushtet mund të hapë rrugën për kthimin gradual të Autoritetit Palestinez (PA), i dëbuar nga Gaza prej Hamasit në vitin 2007.

Autoriteti palestinez aktualisht kontrollon pjesë të Bregut Perëndimor, por është e dobët atje dhe bindja për t’u kthyer në Gaza do të ishte shumë e ndërlikuar.

Komuniteti ndërkombëtar mund të ofrojë zgjidhje të përkohshme, siç bëri kur OKB-ja drejtoi Kosovën pas tërheqjes së forcave serbe në vitin 1999, por OKB-së nuk i beson Izraeli.

Një opsion tjetër mund të jetë krijimi i një administrate, të drejtuar nga kryetarët e bashkive, fiset, klanet dhe organizatat joqeveritare të Gazës, me përfshirje nga Egjipti dhe SHBA, Autoriteti palestinez dhe shtete të tjera arabe, thotë Milstein.

Vetë presidenti i Egjiptit nuk ka treguar interes për kontrollin e Gazës, por ka theksuar se nëse “një shtet palestinez i çmilitarizuar do të ishte krijuar shumë kohë më parë në negociata, nuk do të kishte luftë tani”.

Infrastruktura e shkatërruar e Gazës përfundimisht do të duhet të rindërtohet në mënyrën si ishte pas luftërave të mëparshme.

Izraeli do të dëshirojë kufizime edhe më të forta për “mallrat me përdorim të dyfishtë” që hyjnë në Gaza, që mund të kenë qëllim ushtarak dhe civil. Dhe ka pasur thirrje për zonë tampon përgjatë kufirit me Gazën për të ofruar mbrojtje më të madhe për komunitetet izraelite.

Cilido qoftë rezultati i luftës, Izraeli do të dëshirojë të sigurojë që sulme të ngjashme si të 7 tetorit të mos ndodhin kurrë më.

Të ngjashme