Lajme
Miratohet Strategjia për Komunikim e sistemit prokurorial për vitet 2021-2023
Demokracia
18:37 | 25 Shkurt 2021

Share:

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka zhvilluar sot takimin e radhës përmes komunikimit në distancë, në të cilën ka miratuar një sërë dokumentesh nga fushat e përgjegjësive të tij.

Shqyrtimi i raportit për aktivitetet dhe rekomandimet e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik për periudhën tetor-dhjetor 2020, ishte tema e parë e trajtuar në këtë takim, ku anëtarët e KPK-së pas diskutimeve, me disa rekomandime të njëjtin raport e miratuan, përcjell kp.

Po në këtë takim u trajtua dhe u miratua Strategjia për Komunikim e sistemit prokurorial 2021-2023, me të cilën synohet avancimi i komunikimit në sistemin prokurorial.

Anëtarët e KPK-së gjatë këtij takimi me qëllim të ngritjes së efikasitetit në trajtimin e lëndëve në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, kanë shqyrtuar dhe miratuar kërkesën e kryeprokurorit të kësaj prokurorie që lëndët e Njësitit për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike të trajtohen nga të gjithë prokuroret e këtij departamenti, e jo vetëm nga disa prokurorë siç ishte caktuar me një vendim të mëhershëm.

Këshilli ka marrë vendim për shpalljen publike të konkursit për kryeprokurorë të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, ka themeluar panelin vlerësues dhe komisionin për rishqyrtim lidhur me realizimin e këtij procesi, po ashtu ka bërë shpalljen për transferimin e përhershëm dhe avancimin e prokurorëve, ku edhe ka themeluar komisionin për transferim dhe avancim të prokurorëve.

Kryesuesi i Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, Ardian Hajdaraj, ka prezantuar Planin vjetor për vlerësimin e performancës së prokurorëve për vitin 2021, i cili u miratua nga anëtarët e KPK-së, ndërsa shqyrtimi i Planit të punës për 2021 u vendos të trajtohet në takimin e ardhshëm.

 

Të ngjashme