Me 67 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e miratoi formimin e Komisionit hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës më 22 shkurt ka parashtruar kërkesën për themelimin e këtij komisioni parlamentar, në të cilin siç u tha, do të hetohen vendimet, veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë dhe institucioneve të tjera, në raport me menaxhimin e sektorit të energjisë, shkruan Demokracia.com.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se gjatë kësaj periudhe janë shënuar disa parregullsi si ngritja e çmimit të energjisë elektrike dhe mënyra e blerjes së energjisë.
“Kjo periudhë është shënuar me disa parregullsi si ngritja e çmimit dhe çështja e procedurës së blerjes së energjisë elektrike. Ne konsiderojmë se ngritja e këtij komisioni është e nevojshme dhe ky komision ka një punë të madhe. Një hetim i tillë parlamentar dallon nga ai penal. Në rrjedhim të kësaj ne si grup parlamentar e propozojmë si zëvendëskryetar deputetin Ferat Shala dhe si anëtare deputeten Eliza Hoxha.”, tha ai.
Kujtojmë se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës më 22 shkurt ka parashtruar kërkesën për themelimin e këtij komisioni parlamentar, në të cilin siç u tha, do të hetohen vendimet, veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë dhe institucioneve të tjera, në raport me menaxhimin e sektorit të energjisë.
Krijimi i këtij komisioni u mbështet edhe nga partitë e tjera opozitare LDK e AAK. / Demokracia.com/