Lajme
Minstrja Hajdari në gjykatë për shkeljen e të miturës, iu ikë pyetjeve të gazetarëve
Demokracia
16:27 | 11 Tetor 2023

Share:

Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), të mërkurën, ka marrë pjesë në gjykimin ku po akuzohet se ka shkaktuar aksident trafiku, me ç’rast ishte lënduar një e mitur.

E derisa ajo shkonte në gjykatore, “Betimi për Drejtësi” e ka pyetur nëse e ka marrë pushim nga puna ditën e sotme, kur e njëjta u paraqit në seancë, mirëpo ministrja Hajdari nuk është përgjigjur.

Ajo po ashtu është pyetur se kush ishte personi që po e shoqëronte dhe nëse i njëjti ishte asistenti i saj, mirëpo ajo sërish nuk është përgjigjur.

Në seancën e 12 tetorit 2022, ministrja Hajdari kishte thënë se nuk ndjehet fajtore për aksidentin ku ishte goditur një fëmijë, sipas saj, ajo kishte qenë në shpejtësinë brenda rregullave të komunikacionit dhe se papritmas vajza është goditur nga vetura pasi e njëjta ka qenë duke vrapuar.

Kujtojmë se kërkesa ndaj të pandehurës Hajdari për inicim të procedurës së kundërvajtjes është bërë nga stacioni policor, Policia e Kosovës – Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, për aksidentin e ndodhur më 10 prill 2022, rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum”, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Me të njëjtën kërkesë, Hajdari ngarkohet me “Mospërshtatje të shpejtësisë” dhe “Aksident komunikacioni me lëndime trupore”.

Ndërkaq, për “Betimi për Drejtësi”, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Florim Shefqeti kishte thënë se vlerësojnë që ekspertiza e komunikacionit do të përcaktojë pozicionin se ku ka qenë e pandehura Hajdari, e që nga video, sipas tij, shihet se ka qenë në anën e majtë, ndërsa drejtimi i saj i lëvizjes ka qenë krahu i djathtë.

Ai tha se Prokuroria është dashur fillimisht të definojë shpejtësinë e lëvizjes para udhëzimit të rastit në kundërvajtje.

“Po ashtu, edhe nga shkresat e lëndës ka qenë rruga me reshje shiu dhe nga shpejtësia e lëvizjes që shifet në video, ne presim atë që është dashtë normalisht për ta bërë prokuroria që të konstatojë shpejtësinë e lëvizjes dhe përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes dhe kushteve atmosferike në rrugë dhe kjo do të definojë se a kemi të bëjmë më kundërvajtje apo kemi të bëjmë me vepër penale. Paraprakisht, mendojmë që prokurori i rastit është dashtë ta sqarojë këtë rrethanë para se të udhëzojë rastin për në Departamentin për Kundërvajtje”, tha avokati Shefqeti.

Të ngjashme