Lajme
Ministrja Rozeta Hajdari shkeljen e ligjit e quan “rezultat i Kosovës”
Demokracia
17:23 | 18 Maj 2023

Share:

Shkeljen e ligjit për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës kur u nënshkrua kontratë me një kompani pa garancion bankar në vlerë prej së paku 10 për qind të shumës së paraparë të investimit, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e ka quajtur “rezultat i Republikës së Kosovës”.

Derisa ligji e kërkonte që kur të bëhet nënshkrimi i kontratës në mes të ministrisë dhe kompanisë “Kosmonte Foods” paraprakisht të dorëzohej garancioni bankar, kontrata u nënshkrua pa këtë dokument.

Sipas ligjit për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës, konkretisht Udhëzimit Administrativ 15/2018, për Mënyrën dhe Metodat e Verifikimit të Përmbushjes së Kritereve për Përcaktimin e Statusit të Investitorit Strategjik, neni 6 pika 12 thotë, “Pas vendimit pozitiv të Qeverisë së Kosovës dhe para nënshkrimit të marrëveshjes me Komisionin Ndërministror, investitori është i obliguar t’i dorëzojë Komisionit Ndërministror garancionin bankar në vlerë prej 10 për qind të vlerës së paraparë të investimit”.

Ligji

Vlera e kontratës për “realizimin e projektit strategjik me subjektin “Kosmonte Foods” – kapte vlerën prej mbi 11 milionë eurosh, rrjedhimisht “siguria e shtetit karshi investimit”, do të duhej të ishte së paku mbi 1 milion euro.

E pyetur nga Albanian Post përse ka pranuar të nënshkruajë kontratë kundërligjshëm, ministrja Hajdari tha se ajo nuk e konsideron shkelje, sepse “i kam besuar bankës”.

Albanian Post publikoi të mërkurën dokumentin që tregonte se garancia nga kompania erdhi 4 muaj pasi u nënshkrua kontrata, por ministrja Hajdari deklaroi se ajo ka një dokument tjetër dhe tha se përmes atij dokumenti banka i kishte siguruar se qëndron prapa biznesit, përkundër se garancinë siç e kërkonte ligji nuk e lëshonte dot.

Albanian Post, para publikimit të artikullit, kishte kërkuar nga ministrja qasje në kontratë dhe bashkë me kontratën asnjëherë nuk ka pranuar edhe letrën për të cilën flet ministrja.

“Biznesi para nënshkrimit të Marrëveshjes për Investimet Strategjike ka sjellë dokumentet nga Banka të cilët e kanë sfiduar për dy vite, prej vitit 2020 – 2021 për shkak se Banka ka procedurat tjera, Ministria ka procedura tjera”, deklaroi Hajdari.

Duke arsyetuar biznesin me të cilin nënshkroi kontratë, Hajdari shtoi se kompania “ka pasur procesin e aplikimit prej vitit 2020 në bankën Pro Credit, por Banka me procedurat e veta, ju e dini Bankat tona nganjëherë edhe vonojnë përgjigjet”.

Sipas Hajdarit, ministria ka “komunikuar me Bankën dhe jemi siguruar se gjithçka është në proces dhe është e siguruar, janë paratë të deponuara dhe ky zotim ka ardhur në letër e nënshkruar”.

Ministrja nuk ka sqaruar se përse nëse banka ka mundur t’i garantojë ata se kompania e ka sasinë e parave të deponuar nga kompania, nuk po e ka lëshuar atëherë edhe garancionin siç kërkojnë ligjet.

“Nuk konsiderohet shkelje, kjo nuk është asnjë shkelje është një rezultat i Republikës së Kosovës që e ka siguruar një biznes”.

Ministrja tha se gjithsesi tash ministrja e ka edhe garancionin e kompanisë. E sfiduar nga AP se garancioni erdhi kundër-ligjshëm dhe me 4 muaj vonesë, Hajdari dha se s’ka rëndësi “me vonesë a pa vonesë”.

“I kam besuar Bankës Pro Credit e cila ka komunikuar dhe ka lëshuar dokumentin që ne jemi pas biznesit, është një letër që ju nuk e keni, nuk e ke atë letër”, përsëriste Hajdari, duke mos treguar se çka saktësisht është ajo letër dhe ku gjendet.

Ministrja gjithashtu tha se në vend të kritikave për këtë rast, “është mirë që t’i gëzoheni investimit që ‘Kosmonte Foods’ po sjell dy biznese nga jashtë”.

Ndryshe rrezikon “të shkojë në rajon, sepse ka mundësi konkurruese edhe në rajon edhe në vendet e tjera”.

Në fund, përkundër se është e dokumentuar që marrëveshje me kompaninë u nënshkrua me 30 dhjetor 2022 dhe garancia erdhi vetëm katër muaj më vonë, me 25 prill 2023, Hajdari insistoi se “është nënshkruar gjithçka sipas ligjit”.

Albanian Post ka pyetur edhe Prokurorinë rreth këtij rasti, por deri në momentin e publikimit nuk është kthyer një përgjigje.

Të ngjashme