Lajme
Ministrja Haxhiu me qasje komuniste, e sulmon Kushtetuesen në “emër të popullit” për aktvendimin për KPK-në
Demokracia
11:33 | 06 Prill 2023

Share:

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka sulmuar sërish Gjykatën Kushtetuese për aktvendimin lidhur me Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke thënë se ekzistojnë “grupe të interesit” brenda sistemit të drejtësisë.

Haxhiu ka deklaruar kështu në foltoren e Kuvendit të Kosovës në seancën plenare të së enjtes, duke u thirrur në “etjen e qytetarëve për drejtësi”, shkruan Demokracia.com.

“Së pari, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është lajm i mirë për drejtësinë. Është lajm i mirë për juve si parti opozitare [drejtuar PDK-së] dhe grupet e interesit brenda sistemit të drejtësisë, të cilat ia kanë zënë frymën sistemit të drejtësisë. Sistemi i drejtësisë do të jetë i pavarur, transparent efikas e llogaridhënës. Është lajm i keq edhe për qytetarët e Republikës ky aktgjykim, sepse ju e dini shumë mirë se pse ne kemi marrë mbështetje të madhe qytetarë janë dy zotimet tona: Drejtësi dhe punësim. Qytetarët janë të etur për drejtësi. Prandaj, aktgjykimi është lajm i keq për qytetarët e Republikës”, deklaroi ajo në Kuvend, teksa ka kundër-replikuar me deputeten e PDK-së, Blerta Deliun.

Deliu iu është kundërpërgjigjur duke thënë se nuk do të tolerohet mendësia autoritare në pushtet.

“Ky shtet nuk do të shndërrohet në shtet autoritar. Sado që ju provoni që edhe ligjin për KPK-në ta bëni që t’ia jepni sundimin sundimtarit Kurtit. Edhe kjo që po bëni është prapë përpjekje e re për ta sulmuar institucionet e pavarura të drejtësisë”, deklaroi ndër të tjera ajo.

Qeveria Kurti në vazhdimësi ka sulmuar sistemin e pavarur të drejtësisë, sa herë që s’iu janë miratuar kërkesat e tyre. /Demokracia.com/

Të ngjashme